2017-06-17 17:07:00

Ngushëllimet e ipeshkvijve gjermanë për vdekjen e Kohl


“Kisha në Gjermani është mirënjohëse për dëshminë e krishterë të Helmut Kohl. Ai hyri në skenën e historisë botërore, kur vlerat e shoqërisë së lirë shtypeshin nën thundrën e hekurt të diktaturave. Luftoi për këto vlera, që të riktheheshin e të respektoheshin. E deshi me gjithë zemër, t’ia tregonte Evropës bindjet e tij të krishtera”: kështu shkruan kryetari i Konferencës  ipeshkvnore gjermane(Dbk), kardinali Reinhard Marx, në mesazhin e tij të ngushëllimit për humbjen e kancelarit gjerman, që ndërroi jetë dje, pas një sëmundjeje të rëndë.

Negociator i madh për bashkimin gjerman

Ndërmjet përparësive të tij - shton Prelati i lartë - ishte puna për ekonominë e tregut, themeluar mbi doktrinën shoqërore të Kishës. Kancelari Kohl - vijon të kujtojë kardinali Marx - ishte mysafir i përhershëm i Katholikentag. Njëherësh me guximin dhe qëndrueshmërinë - nënvizon Hirësia e Tij - kancelari kishte edhe forcë vizionare si dhe aftësi të jashtëzakonshme për të hyrë në bisedime për unitetin gjerman.

Angazhimi për Evropën pa kufij

Njëkohësisht - kujton në vijim kryetari i ipeshkjvijve gjermanë - ishte dhe kancelari i idesë evropiane, “që pati rol vendimtar për krijimin dhe zhvillimin e asaj Evrope të bashkuar, pa kufij”, të cilën e ëndërruan shumë brezni të humbura në viset e rrethuara nga kufij telash me gjemba, ku kishte zënë pritë vetë vdekja. Kohl, që luajti rol qendror edhe në hartimin e traktatit të Maastricht, pati nënvizuar më se një herë se “Gjermania dhe Evropa janë dy anët e së njëjtës medalje”.

Për Kohl, përgjegjësia kërkon përkim me ndërgjegjen vetjake

Në mesazhin e ngushëllimit, rimarrë nga agjencia Sir, Kardinali Marx kujton edhe takimet e kancelarit Kohl me Papën Gjon Pali II, gjatë vizitave  të Papës polak në Gjermani, më 1987 dhe më 1996, kur e kapërcyen së bashku Portën e Brandeburgut. Ishte simbol lirie çdo hap i tyre. Prandaj, duke ecur, pati kujtuar se liri do të thotë gjithnjë edhe përgjegjësi, përndryshe liria shndërrohet në forma të tjera vartësie. Përgjegjësia e jetuar - pati shtuar kancelari gjerman - ka nevojë për përkim me ndërgjegjen vetjake, përballë tjetrit e, sidomos, përballë Zotit.

Kohl: detyra e krishterë dhe detyra civile janë të pandara

“Pikërisht në këtë kuptim - pati vërejtur Kohl në vitin 1996 para Portës së Brandeburgut - zëri i Kishave të krishtera është i domosdoshëm edhe në një shoqëri gjithnjë e më të shekullarizuar. Lajmi i mirë i Krishtit është burim force: u jep njerëzve orientim e mbështetje. Detyra e krishterë dhe detyra civile - pati përfunduar Kohl – janë të pandarshme. Kjo vlen sidomos për ndërtimin e një Evrope të bashkuar.

Ipeshkvijtë gjermanë shprehin dhimbje e mirënjohje

“Kisha katolike në Gjermani - lexohet më në fund në mesazhin e ngushëllimit të kardinalit Marx - përkulet me dhimbje, nderim e mirënjohje përballë këtij Personaliteti, veprimet e të cilit patën në bazë konceptin e krishterë mbi njeriun, gjë që i dha forcë të jashtëzakonshme në punën e tij!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.