2017-06-16 14:52:00

Vatikani në linjën e parë të frontit kundër korrupsionit


Korrupsioni i privon njerëzit, sidomos të varfërit, nga liria, dinjiteti dhe drejtësia. Është i pranishëm në gjithë vendet e botës, sepse lind në zemrën e njeriut. Për të gjetur propozime konkrete e për ta kundërshtuar këtë “plagë shoqërore”, që është edhe “gjuha e mafies”, siç nënvizon Papa Françesku, u mbajt dje në Vatikan, një Debat ndërkombëtar për korrupsionin, organizuar nga Dikasteri për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor dhe nga Akademia Papnore e Shkencave.

         Gjatë punimeve u theksua se lufta kundër korrupsionit është sfidë e vërtetë kulturore. Folën gjykatës, përfaqësues të shoqatave e të forcave të rendit, viktima të krimeve dhe eksponentë kishtarë, si don Luigi Ciotti, që prej vitesh, impenjohet kundër mafies në Itali. Siç nënvizoi kryetari i Autoritetit italian kundër Korrupsionit, Raffaele Cantone, nisma e Papës Françesku “është risi e madhe, sepse korrupsioni duket gjithnjë si problem politik, problem i shoqërisë civile, që i intereson vetëm një pjese të botës. Ndërsa Papa paraqiti, edhe nga përvoja e tij, një ide të re, me vetëdijen se korrupsioni u bën keq të gjithëve; u bën keq qytetarëve, por sidomos u bën keq të varfërve”.

         “Të denoncosh dëmet e korrupsionit dhe të ndërmarrësh luftë për ta çrrënjosur – nënvizoi don Luigi Ciotti – është impenjim ungjillor, impenjim i Kishës: do të thotë ta ngresh zërin, aty ku janë të shumtë ata, që zgjedhin heshtjen”. Papa Françesku e fton Kishën “të dëgjojë, të përkulet mbi dhimbjet dhe shpresat e njerëzve me mëshirë” e, duke parë brenda vetë institucionit, nënvizon se “korrupsioni kishtar është mendësia shpirtërore e kësaj bote, vakësia, hipokrizia, triumfalizmi”.

Mbledhja e djeshme në Vatikan është pjesë e një procesi, filluar nga dikasteri për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, i cili ka organizuar tashmë, pesë takime me gjykatës e juristë të ndryshëm. Nga kjo udhë do të dalë një dokument me propozime e strategji për ta kundërshtuar e për ta luftuar korrupsionin. “Me këtë temë – siguroi kardinali Turkson – duam të shkojmë përpara. Është fjala për një fenomen global, që gërryen nga brenda aspekte të panumërta të jetës së njerëzve, e nuk ka të bëjë vetëm me mafien, me trafikun e njerëzve, por edhe me qëndrimet shoqërore si, për shembull, shitjen e provimeve universitare. Kjo, për të thënë se duhet punuar thellë për t’i ndryshuar zemrat e për ta purifikuar sistemin e vlerave”.








All the contents on this site are copyrighted ©.