2017-06-16 13:37:00

U gjet relikja e Dom Boskos: gëzimi i Kishës së Torinos


Pas 13 ditë kërkimesh, gjendet nga karabinierët, në një banesë të Pinerolos, relikja e Dom Boskos. Autori i vjedhjes burgoset, ndërsa bashkësia e salezianëve dhe kryeipeshkvi i Torinos, imzot Cesare Nosiglia, shprehin gëzimin dhe falënderojnë Zotin për rikthimin e relikes.

Më në fund u gjend, nga karabinierët e Pinerolos, relikuari, në të cilin ruhen reliket e Dom Boskos, vjedhur mbrëmjen e 2 qershorit të kaluar, në Bazilikën e Castelnuovo-s. E fshehur në një enë bakri, brenda raftit të kuzhinës, nga një 42 vjeçar, relikja u gjend fatmirësisht e ruajtur fare mirë. U rikthye, kështu, në Bazilikë, ndërsa burri, pasi pranoi përgjegjësinë, u mbyll në burgun e Astit. Sipas burimeve të policisë, shkaku i vjedhjes, që ndodhi  ndërmjet orës 18 e 20, kur shtegtarët po largoheshin nga bazilika, nuk ishte as synimi për të kërkuar shpërblim, as mania e ndonjë koleksionisti. Thjesht, ai që e vodhi, besonte se relikuari mund të ishte me vlerë. Lehtësim shpirtëror, ky, për bashkësinë saleziane dhe besimtarët e devotshëm të Shenjtit të të rinjve. Por gëzim e mirënjohje shprehu edhe kryeipeshkvi i Torinos, imzot Cesare Nosiglia, i cili i falënderoi forcat e rendit për zgjidhjen e këtij problemi, me bindjen se edhe lutja e miqve të Dom Boskos e bëri punën e vet.  Uroj - tha imzot Nosiglia - që të rinjtë e mbarë botës të mund ta ndjekim shembullin e tij e të kenë ndjenja mirësie e mëshire edhe ndaj atyre, që bëjnë vepra të mbrapshta, sepse kështu na mëson gjithnjë Jezusi.








All the contents on this site are copyrighted ©.