2017-06-16 16:39:00

Tryezë e rrumbullakët mbi kulturën arbëro-shqiptare në Sicili


Dje pasdite, në Sallën e Muzeut  të Qytezës Hora e Arbëreshëve / Piana degli Albanesi, në Sicili, u zhvillua simpoziumi i Qendrës Ndërkombëtare për Studime mbi Mitin kushtuar kulturës arbëreshe dhe shqiptare. Të pranishëm Prefekti Xhankarlo Romanjoli dhe Kyetari i Komunës Rozarjo Peta.

Sipas lajmit që na dërgon Prof. Zef Kjaramonte, ai ka qenë kumtuesi i parë. Zbërtheu domethënien e stemës historike (1817) të Qytezës arbëreshe, në njerën anë të së cilës shkruhet NOBILIS PLANAE ALBANENSIS CIVITAS = QYTETI FISNIK I HORES SE ARBERESHEVE, kundrejt emërit zyrtar, të asaj kohe, PIANA DEI GRECI. Kumtuesi shpjegoi se si, asokohe, u bë një kompromis ndërmjet fisnikut feudal, që i shikonte Arbëreshët si grekë, për shkak të ritit kishtar bizantin/ortodoks që ndjekin, dhe popullatës, që e ndjente dhe e ndjen veten arbër.

Fjala i kaloi mandej Prof. Zef Skiro Di Maxho-s i cili hodhi një vështrim të ri mbi jetën dhe veprën e Pater Gjergj Guxeta-s si mendimtar dhe themelues i ndërtesës ku mbahej simpoziumi, nje banesë si punë manastiri për priftërinjtë arbëreshë të pamartuar, si dhe themelues i Seminarit për Arbëreshë në Palermo, që njihet si univesitet autentik për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare.

Relatori i tretë,  papas Nikola Kuçi, foli mbi përshtatmërinë e futjes në kalendarin liturgjik të Kishës Arbëreshe të festës së Shën Mëmë Tereza.  Duke u nisur nga origjina e përbashkët dhe duke kaluar te vepra madhështore e Shenjtes, papa Nikola ftoi njerëzit vullnetmirë të angazhohen në hartimin e teksteve dhe të muzikës përcjellëse, sipas ritit të Kishës Arbëreshe, për krijimin e një Shërbese dinjitoze në përkujtim dhe nderim të Mëmës sonë Shën Tereza Ganxhe Bojaxhiu.

Para dëshmisë familjare nga stërnipi i Mëmë Terezës, djali i vajzës së Lazar Bojaxhiut, me banim në Palermo, fjalën e mori Prof. Fabio Russo i Universitetit të Triestes, i cili bëri nje krahasim ndërmjet Pater Gjergj Guxeta-s, për të cilin flitet se do të shpallet i lum, dhe  Nënë Terezës.








All the contents on this site are copyrighted ©.