2017-06-16 16:36:00

Toka Shenjte: françeskanët kremtojnë 800-vjetorin e mbërritjes së tyre


Të nisemi sërish nga vendi, ku filloi gjithçka, në vitin 1217. Rreth 60 fretër nga Jeruzalemi e nga Galilea morën pjesë, më 11 qershor, në Acri të Italisë, në kremtimin e rregulltarëve të Rojtarisë, me rastin e 800-vjetorit të pranisë françeskane në Tokën Shenjte. Lajmin e jep vetë Rojtaria në faqen e saj të internetit.

Përvojë e dashurisë trinitare

         “Erdhëm deri në Acri – nënvizoi Rojtari i Tokës Shenjte, atë Françesk Patton, gjatë homelisë – për të kremtuar fillimet e pranisë sonë në Tokën Shenjte, ku 800 vjet më parë, zbarkuan fretërit e vegjël, të cilët nisën aventurën françeskane në gjurmët e Krishtit. Ne jemi trashëgimtarë të tyre”.

Ungjillëzues e misionarë

         Vërtet, “në Letrën drejtuar Urdhërit, Shën Françesku kujton cili është kuptimi i thirrjes së françeskanëve – vijoi atë Patton. Zoti na ka dashur ungjillëzues e misionarë”, e pikërisht për këtë arsye i përhapi ndjekësit e Shën Françeskut në të gjithë botën, për ta dëshmuar me fjalë e me vepra e për t’i bindur njerëzit se askush nuk është më i Gjithpushtetshëm se Hyji.

Rëndësia e paqes

         Gjatë kremtimit, fretërit rinovuan së bashku kushtet, si gjest simbolik vazhdimësie të thirrjes së tyre. Një koncert i fëmijëve të Shkollës së Tokës Shenjte në Acri vuri në qendër temën e paqes, me të cilën përfundoi kremtimi përkujtimor.








All the contents on this site are copyrighted ©.