Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa në Shën Martë: pushteti i Zotit shpëton nga ligështitë e mëkatet

Papa kremton Meshën në Shën Martë

16/06/2017 12:55

Të fitojmë vetëdijen se jemi të ligshtë, të lëndueshëm e mëkatarë: vetëm pushteti i Zotit shpëton e shëron. Ky, pohimi i Papës Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Asnjë nga ne nuk mund ta shpëtojë vetveten: kemi nevojë për pushtetin e Zotit, që të shpëtojmë. Papa Françesku reflektoi sot mbi Letrën II të Shën Palit drejtuar Korintianëve, në të cilën Apostulli flet për misterin e Krishtit, duke e quajtur “thesar në enë balte”, dhe i nxit të gjithë të  fitojnë vetëdijen se janë pikërisht enë balte, të ligshtë, mëkatarë e se pa pushtetin e Zotit nuk mund të ecin përpara. Këtë thesar të Krishtit - shpjegoi Papa - e kemi në brishtësinë tonë; ne jemi baltë. E është pushteti i Zotit, forca e Zotit, që shpëton, që shëron, që të çon përsëri në këmbë. Ky, në fund të fundit, është realiteti i  ligështisë sonë:

“Të gjithë jemi të ligshtë, të brishtë, të dobtë, e kemi shumë nevojë të shërohemi. E Apostulli na thotë: jemi të trazuar, të tronditur, të persekutuar, të goditur nga ligështia, ligështia e Palit, shprehje e baltës. E kjo është edhe ligështia jonë. Nganjëherë përpiqemi ta fshehim brishtësinë tonë, bëjmë çmos të mos duket, ose e trukojmë… Vetë Pali, në krye të këtij kapitulli, thotë: “Kur rashë në tinzitë e turpshme…”. I quan të  turpshme, sepse kështu janë tinzitë, gjithnjë hipokrite”.

E përveçse tregohemi hipokritë me të tjerët - vijoi Françesku - duhet të ballafaqohemi edhe me vetveten, domethënë, kur mendojmë se jemi ndryshe nga ç’jemi në të vërtertë, kur besojmë se jemi gjë tjetër, se nuk kemi nevojë për shërim e mbështetje. Kur na mbushet mendja se nuk jemi prej balte, se kemi një thesar, krejt tonin:

“Kjo është udha, ky, shtegu që çon drejt kotësisë, fodullëkut, vetvlerësimit të atyre që, duke mos e ndjerë veten të mbruajtur prej balte, e kërkojnë përsosurinë dhe shpëtimin nga vetvetja. Po ajo, që të shpëton, është vetëm fuqia e Zotit, jo ligështia jonë, të cilën Shën Pali e njeh mirë, e prandaj thotë: ‘Jemi të munduar, por jo të mposhtur’. Nuk mposhtemi, sepse na shpëton pushteti i Zotit”.

Jemi të tronditur - pranon Apostulli - por jo të dëshpëruar. Sepse diçka, që vjen nga Zoti, na jep gjithnjë forcë e shpresë.  Jemi të persekutuar, por jo të braktisur; të goditur, por jo të vrarë. Është gjithnjë e pranishme lidhja ndërmjet baltës e pushtetit, baltës e thesarit. Ne kemi një thesar në enë balte. Por tundimi mbetet gjithnjë i njëjtë: ta mbulojmë këtë realitet, ta fshehim, të mos besojmë se jemi baltë. E kështu bëhemi hipokritë me  vetveten.

Shën Pali Apostull - nënvizoi Papa - duke e menduar, duke e arsyetuar e duke e predikuar kështu Fjalën e Zotit, na çon drejt dialogut ndërmjet thesarit e baltës. Dialog, që duhet ta bëjmë vazhdimisht, për të qenë të ndershëm. Françesku mori një shembull nga rrëfimi, kur i rrëfejmë mëkatet - kujtoi - si të ishte ndonjë listë çmimesh në treg, duke u përpjekur ta zbardhim paksa baltën, për ta ndjerë veten më të fortë. Ndërsa duhet ta pranojmë ligështinë e brishtësinë tonë, edhe pse na duket e vështirë ta bëjmë: e këtu hyn në lojë turpi:

“Është turpi ai, që e zgjeron zemrën, për të hyrë pushteti i Zotit, forca e Zotit. Turpi që ndjen kur mendon se je vazo balte e jo vazo argjendi, as ari. Je baltë! E nëse arrijmë në këtë pikë, atëherë jemi të lumtur. Shumë të lumtur. Dialogu ndërmjet fuqisë së Zotit e baltës: të mendojmë për larjen e këmbëve, kur Jezusi i afrohet Pjetrit e Pjetri i thotë: ‘Jo mua, Zot, të lutem! Çfarë po bën kështu?’. Pjetri nuk e kishte kuptuar se ishte baltë, se kishte nevojë për pushtetin e Zotit, që të shpëtonte”.

Duhet të jemi bujarë, sepse vetëm kështu mund ta pranojmë edhe se jemi të ligshtë, të brishtë, të lëndueshëm, mëkatarë. Vetëm nëse e pranojmë se jemi baltë - përfundoi Papa - pushteti i jashtëzakonshëm i Zotit do të vijë tek ne e do të na japë shpëtimin, lumturinë, gëzimin që ndjen njeriu i shëlbuar, duke marrë, kështu, edhe thesarin nga dora e Zotit.

16/06/2017 12:55