Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Korpit dhe Gjakut të Krishtit ‘A’

Procesioni Corpus Domini

16/06/2017 17:59

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe do të meditojmë leximet biblike të solemnitetit të Korpit e Gjakut të Jezu Krishtit, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.

Në solemnitetin e Korpit e Gjakut të Krishtit, Kisha i fton të gjithë të meditojnë për misterin e Krishtit, që dhuron vetveten mbi Kryq, që përmes mundimeve, vdekjes mbi Kryq e Ngjalljes, e shpëtoi njerëzimin duke i treguar rrugën e shëlbimit. Një ngjarje, kjo që Zoti e përshpejton dhe përsërit, e bënë sërish të pranishme në themelimin e Eukaristisë, në të cilën buka e thyer dhe vera e derdhur në kelk, bëhen Korpi e Gjaku i Krishtit, udhë e mjet për bashkimin me Të e shtegu i vetëm i shpëtimit.

Këtu mund ta dëgjoni emisionin kushtuar liturgjisë së Fjalës së Zotit të solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit.......

Pra, Jezusi, në Eukaristi, na ka lënë përkujtimin e Pashkëve të tij. Prandaj, duam ta adhurojmë këtë mister feje për t’i ndjerë në ne frytet e shëlbimit. Siç na kujton Ungjilli i këtij solemniteti nga Gjoni 6,51-58, Jezusi e kumton misterin e Eukaristisë, shkandull për ata që e dëgjonin. Ai bëhet ushqim për të na mbështetur në udhën e jetës sonë dhe për të na bërë një gjë të vetme me Të.

Solemniteti i Korpit të Krishtit, na kujton se të krishterët duhet të mblidhen nga të katër anët, për t’u gjunjëzuar në praninë e të vetmit Zot e për t’u bërë një gjë e vetme me Të. Një kremtim i tillë na mëson se Eukaristia dëshiron të na çlirojë nga çdo ligështi e mëkat, të na ngrejë përsëri në këmbë, sa herë që rrëzohemi, për ta rifilluar rrugën me forcën që Hyji na jep përmes Jezu Krishtit. 

Por nuk mjafton të ecësh përpara, duhet shikuar mirë edhe ku po shkon. Nuk mjafton ‘progresi’, në se nuk ka asnjë kriter referimi. Madje, në se dredhon rrugë, rrezikon të biesh në greminë, ose të largohesh me shpejtësi nga caku. Zoti na krijoi të lirë, por nuk na la vetëm: u bë Ai vetë rrugë e erdhi të ecë së bashku me ne, që duke qenë të lirë, të kemi edhe mundësinë për të zgjedhur rrugën e drejtë.

Ta adhurosh Hyjin e Jezu Krishtit, që u bë bukë e thyer për dashuri, është ilaçi më i mirë kundër të gjitha idhujtarive të djeshme e të sotme. Gjunjëzimi para Eukaristisë, është besojma e lirisë: kush përkulet para Jezu Krishtit, nuk mund e nuk duhet të përkulet para asnjë pushteti tokësor, sado i fuqishëm të jetë. 
Ne, të krishterët, gjunjëzohemi vetëm para të Shenjtnueshmit Sakrament, sepse në të është i pranishëm i vetmi Zot i vërtetë, që krijoi botën dhe e desh aq, sa t’i dhurojë Birin e tij të vetëm. Përkulemi para një Zoti, që u përkul i pari mbi njeriun e munduar, si Samaritani i Mirë. Kisha katolike u kujton gjithë të krishterëve se ta adhurosh Korpin e Krishtit, do të thotë të besosh se aty, në atë copëz buke, është i pranishëm vetë Jezusi, që i jep kuptimin e vërtetë jetës: si universit të pafundmë, ashtu edhe krijesës më të vogël; si mbarë historisë njerëzore, ashtu edhe jetës më të shkurtër. Eukaristia e ushqen shpirtin me dashuri, me vërtetësi, me paqe, me shpresë, sepse Krishti, para të cilit gjunjëzohemi, nuk na gjykon, nuk na shkel, por na çliron e na shndërron! 

                    Liturgjia e Fjalës

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë 8, 2-3.14-16

Moisiu iu drejtua popullit me fjalë: “Të bjerë në mend udhëtimi që Zoti, Hyji yt, ka bërë ta kalosh për këta dyzet vjet nëpër shkretëtirë, me qëllim që të përulte, të sprovonte e të shihte çka ndryhet në zemrën tënde: a do t’i mbash urdhërimet e tija apo jo. Të mundoi me uri, por mandej të ushqeu me manë, që s’e njihje ti as etërit e tu. Kishte për qëllim ta vërtetonte se për të jetuar njeriut nuk i del mjaft buka, por i lypet edhe secila fjalë që del prej gojes së Zotit. Mos e harro Zotin, Hyjin tënd, që të ka nxjerrë nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë; që të ka prirë nëpër atë shkretëtirë të madhe e të tmerrshme, tokë gjarpërinjsh të helmuar e gallomash, vend të thatë e pa ujë; por qe Ai që për ty nxori përrenj uji të gjallë prej qetës graniti e të ushqeu në shkretëtirë me manë, që s’e kishin njohur etërit e tu, e, pasi të përuli dhe të sprovoi, në fund pati dhimbje për ty dhe të bëri të lumtur.”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Psalmi 147

Qoftë bekuar Zoti, lavdia e popullit të vet

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,
madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!
Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,
i bekoi bijtë e tu në ty!

Ai ua siguron kufijve të tu paqen,
ai të ushqen me palcën e grurit.
Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,
lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,
drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.
Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:
asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve 10, 16-17

Vëllezër, gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, a nuk është bashkim me Gjakun e Krishtit? Po edhe buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit? Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: sepse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke. 
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

ALELUJA, aleluja. 
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
Aleluja

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit 6, 51-58

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin e vet për ushqim?” Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. Sepse korpi im është ushqim i vërtetë, e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

16/06/2017 17:59