Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Gjithçka gati për takimin dioqezan të Romës: me ne, imzot Manto

Bazilika e Shën Gjonit në Lateran - RV

16/06/2017 15:32

Do ta hapë Papa Françesku, më 19 qershorin e ardhshëm, takimin dioqezan të Romës, që do të mbahet në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Mbledhja, në të cilën do të marrin pjesë ipeshkvijtë ndihmës, priftërinjtë, rregulltarët e rregulltaret, si dhe qindra laikë, ardhur nga famullitë dhe realitetet e tjera kishtare, titullohet: “Të mos i lëmë vetëm! T’i shoqërojmë prindërit në edukimin e fëmijëve adoleshentë”. Folëm, për këtë, me imzot Andrea Manto, drejtor i qendrës për baritorinë familjare të dioqezës së Romës:

Përgjigje: - Kuvëndimi është gjithnjë takim i rëndësishëm për Kishën e Romës, sepse çast në të cilin mbarë Kisha e Romës, simbolikisht, përmes përfaqësive të saj, famullitarëve, katekistëve, diakonëve, njerëzve të impenjuar në baritori, rregulltarëve, rregulltareve, mblidhet për të reflektuar rreth një teme, që pastaj do të hapë hullinë baritore, nëpër të cilën do të ecet në vitin, që vjen. Në këtë rast, zgjedhja e temës kushtuar familjes në dinamikën e rolin e saj edukativ, posaçërisht në punën edukative me fëmijët adoleshentë, ka të bëjë me një problem, që magjisteri i Papës Françesku e ka shumë për zemër. Ai vetë ka folur për një lloj jete prej jetimësh të të rinjve, e jo vetëm të atyre.  Në Amoris Laetitia thellon fort rëndësinë e transmetimit, nga breznia në brezni, të vlerave më të njëmendta, si të jetës njerëzore, ashtu edhe të asaj kishtare, vlerat e krishterimit, të aftësisë për të jetuar së bashku…

Pyetje: - Parashikohen 38 laboratorë, në të cilët do të diskutohen aspektet e ndryshme të kësaj teme…

Përgjigje: - Shikimi ynë do të drejtohet, përmes këtyre laboratorëve, në aspekte të ndryshme të jetës në familje, pikërisht duke u nisur nga jeta e përditshme, nga jeta në shtëpi: nga pyetja nëse familjet kanë kohë të ulen në sofër për të ngrënë bashkë tre vaktet kryesore të ditës, nga mënyra si kalohet koha gjatë ditës, gjatë javës, në pushimet verore, nga çastet që i kushton familja vetvetes e marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve të saj. Do të flitet për shkollën, për studimin, për mënyrën si jetohen marrëdhëniet në familje, për transmetimin e vlerave në shkollë e në shtëpi, për rritjen dhe pjekurinë e fëmijëve. Do të flitet edhe për mjetet e komunikimit masiv, të cilat nuk krijojnë kurrë një kontakt të vërtetë mes njerëzve. Do të flasim edhe për marrëdhëniet ndërmjet breznive.

Pyetje: - Rezultati i gjithë këtyre laboratorëve do të bëhet, pastaj, i njohur, më 18 shtator, apo jo?

Përgjigje: - Po, mund të themi se bëhet fjalë për një udhë sinodale në të cilën, duke u nisur nga territori, domethënë nga famullitë, nga prefekturat në të cilat do të zhvillohen këta laboratorë - e kur flas për prefekturat, e kam fjalën për grupet e famullive, që punojnë së bashku – do të realizohet një çast i vërtetë dëgjimi. Të gjithë këto përrenj të vegjël, pastaj, do të derdhen më parë në përvojën e sektorëve, me ipeshkvin e sektorit në krye, e pastaj, në një relacion përfundimtar, që do ta ndihmojë edhe mëkëmbësin e ri, imzot De Donatis, për të përcaktuar orientimet baritore.

16/06/2017 15:32