Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Papa Françesku emëroi dom Gjergj Metën ipeshkëv të ri të Rrëshenit - Mirditë

Papa Françesku emëroi dom Gjergj Metën ipeshkëv të ri të Rrëshenit - Mirditë - RV

15/06/2017 10:56

Papa Françesku pranoi dorëheqjen e Shkëlqesisë së Tij, imzot Cristoforo Palmieri, nga detyra e qeverisjes baritore të dioqezës së Rrëshenit e njëkohësisht, emëroi ipeshkëv të ri të Rrëshenit, imzot Gjergj Metën, deri tani, vikar i përgjithshëm i kryedioqezës Tiranë-Durrës. Ja fjala pas emërimit e atij, që jemi mësuar ta ndjekim në shtyp në mbrojtje të vlerave të krishtera në shoqëri:

Përshendetja e Ipeshkëvit të zgjedhur të Rrëshenit Gjergj Meta

Shumë i Nderuar Atë Kristofor, Bariu dhe Ati i kësaj dioqeze të Rrëshenit, fjalët e para janë për ju sot në shenjë falenderimi për shërbimin dhe të mirën që keni bërë në këto vite, më parë si famullitar e më pas si Ipeshkëv i Rrëshenit. Faleminderit e Zoti të shoqëroftë në vitet në vazhdim. Kjo dioqezë do t’ju kujtojë gjithmonë me respekt dhe dashuri dhe do të keni gjithmonë një vend të veçantë në këtë dioqezë.

Një fjalë dhe një mesazh për mirditorët e mrekullueshëm dhe shumë të vuajtur. Më pranoni si njërin prej jush. Unë i njoh vuajtjet tuaja, kohën dhe shekujt që kanë rënduar mbi ju. Zoti ka dashur që unë të jem bariu juaj në një moshë të re e prandaj ju lutem, me lutjen dhe miqësinë tuaj, bëni të mundur që të jem një i krishterë i mirë bashkë me ju dhe një bari i mirë për ju.

Një fjalë për ju të dashur meshtarë e motra. Papa Françesku nuk ka zgjedhur më të mirin ndër meshtarët shqiptarë për të shërbyer në këtë dioqezë. Për këtë të jeni të sigurtë. Ka qenë për mua një “po” shumë e vështirë, shumë e vështirë! Ajo që kam është humaniteti im, brishtësia dhe vogëlsia ime. E dorëzoj në duart tuaja që do të jeni bashkëpunëtorët e mi më të afërt. Ashtu sikurse Papa Bendikti edhe unë mund të them se Zoti ka zgjedhur një punëtor të përvujtë në vreshtën e tij. Më ndihmoni të jem një vëlla për ju dhe një bari që jep jetën e tij për delet e veta.

Së bashku të vazhdojmë të çojmë e të kumtojmë gëzimin e Ungjillit në çdo familje të dioqezës, te çdo i ri e sidomos tek të varfërit dhe të mënjanuarit e kohës tonë. Kumtimi i Mbretërisë së Hyjit është detyra jonë parësore. Ta bëjmë së bashku këtë gjë pa u kursyer.

Zoti ju bekoftë të gjithëve! Marie Tuci dhe shokët e saj martirë na ndihmofshin në këtë rrugëtim të ri që feja jonë të veprojë nëpërmjet dashurisë.  

 

Mediat janë fusha më e dashur e veprimit të imzot Gjergj Metës. Le ta dëgjojmë ipeshkvin e ri të dioqezës së Rrëshenit, në një intervistë të tij me Radio Vatikanin, pikërisht për mediat dhe Kishën…

Curriculum vitae e imzot Gjergj Metës

Lindi më 30.04.1976 në Durrës

1994-1995: ndjek vitin paraprak në Seminarin e kryeipeshkvisë së Barit, në Itali.

1995-2000: ndjek Seminarin Rajonal në Molfetta të Barit dhe Fakultetin Teologjik puljez.

21 prill 2001: shugurohet meshtar.

2001-2002: shërben si zv.famullitar në konkatedralen e Shën Luçisë në Durrës.

2001-2006: është anëtar i Këshillit presbiteral të dioqezës.

2002-2003: shërben si zv.famullitar në katedralen e Shën Palit në Tiranë.

2003-2006: është administrator i famullisë në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Gjithashtu, emërohet përgjegjës kombëtar për baritorinë universitare të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit.

2006-2009: merr liçencën (diplomë universitare) në degën e së drejtës kanonike në Universitetin Papnor Gregorian.

2009-2010: shërben si zv.famullitar në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Emërohet gjykatës i Gjykatës Ndërdioqezane Shqiptare nga viti 2009.

2009-2017: bëhet pedagog i së Drejtës Kanonike në Institutin Teologjik të Shkodrës, si edhe anëtar i Këshillit Presbiteral dhe i Kolegjit të Këshilltarëve.

2009-2012: është zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

2010-2013: shërben si famullitar në kishën e Shën Gjonit Maria Vianej në Kamzë dhe si administrator i famullisë së Gramzës (Zoja Mbretëreshë) dhe të Luzit (Zoja e Ngjitur në Qiell).

2013-2016: shërben si famullitar në konkatedralen e Shën Luçisë në Durrës dhe është dekan i Dekanatit Perëndimor të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit. Gjithashtu, është anëtar i Komisionit ipeshkvnor për liturgjinë dhe formimin e përhershëm të meshtarëve.

Dhjetor 2016 e deri tani: shërben si vikar i përgjithshëm i kryedioqezës së Tiranë-Durrësit dhe është zëdhënës i ipeshkvijve të Shqipërisë.

15/06/2017 10:56