2017-06-15 11:32:00

Don S. Kulli, don Gj. Meta e atë G. Peragine, ipeshvijtë e rinj në Shqipëri


Kisha Katolike në Shqipëri priti në festë tre ipeshkvijtë e rinj të emëruar nga Papa Françesku. Për dioqezën e Sapës, Ati i Shenjtë Bergoglio emëroi ipeshkëv, administratorin aktual dioqezan, don Simon Kulli; për dioqezën e Rrëshenit, Papa emëroi ipeshkëv don Gjergj Metën, vikarin aktual të përgjithshëm të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit; për Administraturën Apostolike të Jugut, u emërua ipeshkëv rregulltari barnabit, misionar në Milot, atë Giovanni Peragine. Plotësohet kështu një nevojë e ndjerë për udhëheqje shpirtërore në kishat përkatëse dioqezane, ku ipeshkvijtë aktualë kanë mbushur moshën e pensionit. Njoftimi i emërimit të ipeshkvijve të rinj u bë në orën 12.00 në Vatikan e po kështu edhe në selitë dioqezane përkatëse.

Nga emërimet e reja ipeshkëvnore vërehet se Kisha Katolike e Shqipërisë po kalon dalëngadalë në duart e thirrjeve të para vendase në meshtari. Dy prej ipeshkvijve të rinj janë pinjollë të asaj toke e Kishe, larë me gjakun e martirëve, fryti i të cilit tashmë është i dukshëm e mund të preket me dorë. Por edhe në figurën e ipeshkvit të ri të Jugut, vlerësohet lidhja e ngushtë e Kishës me misionarët e përkushtuar, për të cilët Shqipëria është bërë atdheu i dytë e vendi i bashkëpunimit në misionin e përbashkët të përhapjes së Lajmit të Mirë të Ungjillit në trevat shqiptare.

Që nga rënia e regjimit komunist e deri më sot, ringjallja e besimit dhe përforcimi i strukturave kishtare është realizuar duke u mbështetur në dy këmbë, duke marrë frymë me dy mushkëri, duke ecur me meshtarët e rregulltarët misionarë nga njëra anë, e me thirrjet vendase, nga ana tjetër; thirrje qe kane mbijetuar persekutimin e diktaturës e thirrje të reja, që tashmë janë bërë meshtarë të gatshëm për të marrë në duart e tyre fatet e Kishës në Shqipëri.

Ipeshvijtë e rinj fillojnë tani një mision të veçantë e të shenjtë në krye të grigjës së Krishtit, detyrë, që deri tani, e kanë kryer me përkushtim tri figura, që kanë punuar me mish e me shpirt në vreshtin e Zotit. Nuk mund të mos kujtojmë ipeshkvin e ndjerë të Sapës, imzot Lucian Avgustinin, aq të dashur nga besimtarët, por edhe ipeshkvijtë, që tashmë dalin në pension: imzot Hil Kabashi për administraturën apostolike të Jugut dhe imzot Cristoforo Palmieri për dioqezën e Rrëshenit. Ata u dorëzojnë ipeshkvijve të rinj një thesar të çmueshëm shpirtëror, kishtar, shoqëror e kombëtar. Ky emërim nga Papa Françesku është bekim i mëtejshëm për Kishën Katolike në Shqipëri, prandaj gjithë kleri e besimtarët falenderojnë Zotin për këtë dhuratë e për këtë shenjë kujdesi e dashurie ndaj kësaj Kishe vërtet të vogël, por të madhe, sepse i ka dhënë krishterimit mbarë shenjtorë si Nënë Tereza e si 38 martirët e parë të lum të komunizmit.

Kisha Katolike në Shqipëri është për Papën Françesku periferi e dashur, e çmuar dhe e përkrahur në misionin e saj në shërbim të popullit e në lavdi të Zotit, nën shenjën e mëshirës e të përdëllimit, siç kërkon vetë Ati i Shenjtë Bergoglio nga gjithë ipeshkvijtë.

Si redaksi e programit shqip të Radio Vatikanit u bëjmë urimet më të mira të gjithë ipeshkvijve të rinj, por edhe të vjetërve, duke i falenderuar për punën e shkëlqyer në shërbim të Kishës e të kombit. Të gjithëve u jemi mirënjohës për intervistat dhe gatishmërinë ndaj programit tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.