2017-06-14 12:15:00

Papa: Zoti na deshi edhe kur gabuam


Zoti na deshi edhe kur gabuam. Dashuria nuk kërkon shfuqizimin e drejtësisë njerëzore, sepse çdo gabim duhet shlyer, por vijon të vuajë për atë që do, edhe kur është mëkatar. Zoti bën të njëjtën gjë me ne: kjo, sinteza e katekizmit të Papës në audiencën e sotme të përgjithshme, në vijim të ciklit kushtuar shpresës së krishterë:.

Më poshtë, teksti i plotë i katekizmit:

Asnjeri nga ne nuk mund të jetojë pa dashuri. E një skllavëri e keqe, në të cilën mund të biem, është ajo që na shtyn të mendojmë se dashuria duhet merituar. Ndoshta një pjesë e mirë e ankthit të njeriut bashkëkohor rrjedh pikërisht nga kjo pandehmë: besojmë se nuk jemi të fortë, tërheqës e të bukur. E kështu, askush nuk merret me ne. Shumë njerëz sot i kushtojnë vëmendje dukjes, vetëm e vetëm për të mbushur ndonjë boshllëk shpirtëror; si të ishim njerëz përjetësisht nevojtarë për t’u pëlqyer. Por, a mund ta përfytyroni një botë, ku të gjithë dalin e lypin shkaqe për të tërhequr vëmendjen e tjetrit? Thua se askush nuk është i gatshëm ta dojë tjetrin pa asnjë farë arsyeje? Duket botë njerëzore, kjo jona, por në të vërtetë është shndërruar në një skëterrë. Shumë narcizima njerëzore lindin  nga ndjenja e vetmisë. Pas shumë mënyrave të sjelljes, në dukje të pashpjegueshme, fshihet një pyetje: a është e mundur që unë të mos e meritoj as të më thërrasë ndokush me emër?

Kur ai, që nuk e duan, a që i duket se nuk e duan, është adoleshent,  atëhere mund të lindë edhe dhuna. Pas shumë formave të urrejtjes  shoqërore e të pesimizmit, fshihet shpesh një zemër e papranuar, e pa dashur. Nuk ka në këtë botë fëmijë të këqij, e nuk ekzistojnë as adoleshentë krejtësisht të prishur, por ka, ndërkaq, shumë njerëz të palumtur. E ç’ gjë tjetër mund ta bëjë njeriun të lumtur, nëse jo përvoja e dashurisë? Asaj që e japim e që e marrim? Jeta e njeriut është një shkëmbim shikimesh: kujtdo që, duke na shikuar, na shkëput një buzëqeshje, e kujtdo që, duke e shikuar, ia shkëpusim buzagazin, i kemi hapur një rrugëdaljeje.

Hapi i parë, që bën Zoti drejt nesh, është ai i një dashurie që dhurohet e para, pa asnjë kusht. Zoti nuk na do sepse shikon në ne ndonjë cilësi, që meriton dashurinë e Tij.  Zoti na do, sepse ai vetë është dashuri.

Dashuria, për vetë natyrën e saj, kërkon të përhapet, të dhurohet: Zoti nuk  e lidh as dashamirësinë e Tij me kthimin tonë: kjo mund të jetë vetëm pasojë e dashurisë së Tij. Shën Pali e shpreh këtë në mënyrë të përkryer: “Zoti e tregoi dashurinë e tij ndaj nesh me faktin që, ndërsa ishim akoma mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Rom 5,8). Ndërsa ishim ende mëkatarë. Ishim larg, si djali plangprishës i shëmbëlltyrës: “Kur ishte ende larg, i ati e pa e pati mëshirë…” (Lk 15,20). Nga dashuria për ne, Zoti doli nga vetvetja, për të ardhur e për të na takuar në këtë shkretonë, ku s’kish kurrfarë kuptimi të kalonte. Zoti na deshi, edhe kur ishim në gabim.

E kush nga ne do në këtë mënyrë, veç atij që është atë a mëmë? Nëna vijon ta dojë me gjithë shpirt të birin, edhe kur është në pranga. Në burg. Nëna nuk kërkon shfuqizimin e drejtësisë njerëzore, sepse çdo gabim duhet shlyer, por vijon të vuajë për të birin. E do fort, edhe kur është mëkatar. Zoti bën të njëjtën gjë me ne: “jemi bijtë e tij të dashur! Nuk ka kurrfarë mallkimi mbi jetën tonë. Mbi të është gjithnjë vetëm fjala mirëdashëse e Zotit, që e nxori jetën tonë nga mosgjëja. E vërteta e gjithçkasë është marrëdhënia e dashurisë që lidh Atin e Birin, përmes Shpirtit Shenjt, marrëdhënie në të cilën ne u pranuam përmes hirit. Në Të, në Krishtin Jezus, ne u kërkuam, u deshëm, u dëshiruam. Është dikush që na vulosi me vulën e bukurisë së zanafillës, të cilën kurrfarë mëkati, kurrfarë rruge e gabuar, nuk do të mund ta shlyejë plotësisht. Ne, para syve të Zotit, jemi gjithnjë burime të vogla, të bëra për të gurruar ujin e mirë. Ia tha vetë Jezusi gruas samaritane: “Uji, të cilin unë do të ta jap, do të bëhet në ty, burim, që rrjedh për jetën e pasosur (Gjn 4,14).  

Gjëja e parë që duhet bërë për ta shndërruar zemrën e një njeriu të palumtur, është ta përqafosh. Ta bësh të ndjejë se dëshirohet, gjë tejet e rëndësishme e ta bindësh se nuk ka asnjë arsye të jetë i trishtuar. Dashuria e thërret dashurinë me zë shumë më të fuqishëm, se zëri i urrejtjes, që thërret vdekjen. Jezusi nuk vdiq e as nuk u ngjall për vetvete, por për ne, që të na faleshin mëkatet. Është, prandaj, kohë e ngjalljes për të gjithë: kohë për t'i ringritur të varfërit nga pluhuri i çkurajimit, për t’u shtrirë dorën sidomos atyre, që dergjen ndër varre prej një kohe shumë më të gjatë se tri ditë. Fryn këtu, mbi fytyrat tona, një fllad çlirimi. Mungullon këtu, dhurata e shpresës! 








All the contents on this site are copyrighted ©.