2017-06-14 15:01:00

Ministrja kanadeze McKenna: Papa Françesku, lider në mbrojtjen e ambientit


Mbrojtja e ambientit, lufta kundër ndryshimit të klimës, mikpritja e emigrantëve. Janë temat për të cilat foli këto ditë në Vatikan, ministrja kanadeze e ambientit, Catherine McKenna. Ajo u takua me kryeipeshkvin Silvano Maria Tomasi dhe me atë Michael Czerny, këshilltar i Papës Françesku për emigrantët dhe refugjatët. Gjithashtu, mori pjesë në mbledhjen e Caritas Internationalis mbi emigrantët e refugjatët, para se të ishte sot e pranishme në audiencën e përgjithshme të Atit të Shenjtë. Në një intervistë ekskluzive për Radio Vatikanin, ministrja McKenna deklaroi:

Për mua, është përvojë e pabesueshme dëshmia e Papës dhe e Vatikanit mbi tema të rëndësishme për kanadezët si ambienti dhe ndryshimi i klimës, por edhe mbi argumentet, që kanë të bëjnë me emigrantët dhe refugjatët. Rezultat i vizitës sime është mundësia për të punuar më ngushtë me Vatikanin edhe në këto fusha të rëndësishme. Kemi një planet të vetëm dhe duhet të punojmë së bashku. Mendoj se Papa ka një mundësi unike për të përfshirë të gjithë katolikët e botës në përballimin e këtyre sfidave të zhvillimit të gjithanshëm. Jam e bindur se çdo gjest i bërë edhe nga një person i vetëm ndikon mbi planetin. Impenjim tjetër është ai për të varfërit, të cilët e vuajnë më shumë se të tjerët ndryshimin e klimës.

Papa Françesku ka pohuar shpesh se të kujdesesh për ambientin do të thotë të kujdesesh edhe për të varfërit. Për Atin e Shenjtë, shkatërrimi i ambientit dhe varfëria janë të lidhura. Ç’mendoni ju?

Nuk mund të mos jem dakord me këtë… fatkeqësisht, janë njerëzit më pak të aftë të mbrohen ata, që goditen më shumë nga përmbytjet, rënia e zjarrit në pyje, thatësira dhe, përsa i përket Kanadasë, edhe shkrirja e akujve të Arktikut: janë shpesh njerëz, që jetojnë në varfëri. E kemi parë në Kanada në ç’masë ndryshimi i klimës ndikon mbi popullsitë indigjene, sidomos në Veri. Duhet kujtuar edhe se reagimi ndaj ndryshimit të klimës presupozon edhe një politikë të mirë shoqërore, sepse duhen ndihmuar njerëzit që t’i përballojnë si duhet pasojat. Pavarësisht nga qëndrimi i administratës amerikane, që doli nga Marrëveshja e Parisit, gjithë të tjerët e konfirmuan impenjimin. Unë vetë kam tre fëmijë. Pyetja është: ç’të ardhme po u lëmë atyre?

 








All the contents on this site are copyrighted ©.