2017-06-14 16:25:00

Vatikan: K9 studion mundësitë e Kuries në shërbim të kishave vendore


Në rend të ditës, fjala “decentralizim”. Mbledhja e re e Këshillit të Nëntë Kardinajve, që ndihmon Papën në reformimin e Kuries Romake, iu kushtua një studimi më të thelluar të mundësive, me të cilat Kuria mund t’u shërbejë Kishave lokale. E shpjegon zëdhënësi i Vatikanit, Greg Burke. gjatë një takimi për shtyp kushtuar mbledhjes së 20-të të K9 (Këshillit të 9-të Kardinajve).

Në përfundim të Këshillit të Kardinajve, mbledhur me Papën Françesku për tri ditë, nga e hëna, 12 qershor, në të cilin nuk mundi të merrte pjesë kardinali Sean O’Malley i Bostonit, sot drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Greg Burke, u takua me gazetarët.

Sesionet e punimeve të Këshillit, njoftoi Burke, u zhvilluan paradite e pasdite e iu kushtuan studimit të mënyrave me të cilat Kuria Romake mund t’u shërbejë më mirë Kishave lokale. Për shembull, përmes një këshillimi më të gjerë, me pjesëmarrjen edhe të anëtarëve të jetës rregulltare e të laikëve, lidhur me kandidatët që propozohen për ipeshkvij.

Ndërmjet propozimeve të ndryshme, edhe mundësia e transferimit të disa kompetencave nga Dikasteret romake, tek Ipeshkvijtë vendas, ose  tek Konferencat ipeshkvnore, me  frymë të drejtë decentralizimi.

Kardinali George Pell solli arritjet më të reja në punën e Sekretarisë për Ekonominë, të cilën e kryeson. Vëmendje e veçantë iu kushtua hapave të bëra në procesin e planifikimit të burimeve ekonomike dhe monitorimit të planeve financiare për tremujorin e parë të vitit 2017, të cilat konfirmuan, me pak përjashtime, të dhënat e buxhetit. Së shpejti do të fillojë procesi i buxhetit për vitin 2018 si dhe ai për monitorimin e tremujorit të dytë për 2017-tën.

Së fundi, Prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Vigano, paraqiti raportin mbi gjendjen e reformës të sistemit komunikativ të Selisë së Shenjtë; shpjegoi ecurinë ekonomike e administrative  të SPC (Statuti i Sekretarisë për Komunikimin), duke vënë në dukje rezultatet pozitive dhe projektet në fazën e realizimit të sistemit të ri komunikativ. Këshilli i  Kardinajve,  njoftoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, do të  takohet përsëri më 11, 12 e 13 shtatorin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.