2017-06-13 13:55:00

Papa për Ditën Botërore të të Varfërve: të mos rrimë duarkryq para britmës së tyre


“Jemi të thirrur t’u shtrijmë dorën të varfërve” e të mos rrimë duarkryq e as të mos dorëzohemi para varfërisë, që ndeshet në sektorë të mëdhenj të shoqërisë. Papa Françesku prek tema të ndjeshme në mesazhin e tij për Ditën I Botërore të të Varfërve, që do të kremtohet më 19 nëntor. Atë ditë, pas meshës në Shën Pjetër, Ati i Shenjtë do të drekojë me 500 të varfër. Sot, mesazhi i Papës u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit.

Për një zhvillim të vërtetë, të dëgjohen të varfërit

Për të krishterët, çështja e varfërisë është qendrore. Në mesazh, Bergoglio nënvizon: “nëse duam të takohemi me të vërtetë me Krishtin, është e nevojshme që ta prekim Atë në trupin plot plagë të të varfërve”. Ndihma për ta nuk mund të jetë e rastësishme, është pjesë e jetës së të krishterëve, të cilët duhet ta dëgjojnë britmën e të varfërve e të impenjohen në favor të tyre. Papa vë në dukje se tek të varfërit duhet të shohim edhe atë varfëri ungjillore, e cila nuk duhet humbur, por që natyrisht, nuk i bën njerëzit ta humbasin dinjitetin e jetës. Në këtë kuptim, siç nënvizoi kryetari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, imzot Rino Fisichella, gjatë konferencës për shtyp, “të varfërit nuk janë problem, janë pasuri, që duhet përdorur për të pranuar e jetuar thelbin e Ungjillit”. Por ka një varfëri, që përbën problem të madh, që i tjetërson njerëzit dhe shoqërinë. E pikërisht atë denoncon Papa Françesku.

Njëmijë fytyrat e varfërisë

Denoncon pasurinë e paftyrë, që grumbullohet në duart e pak vetëve. E përballë saj, përshkruan njëmijë fytyrat e varfërisë: mënjanimin, shfrytëzimin, dhunën, torturat, burgosjen, luftën, mungesën e lirisë dhe të dinjitetit, injorancën dhe analfabetizmin, emergjencën shëndetësore dhe papunësinë, trafikun e skllavërinë, emigracionin e detyruar dhe mjerimin. “Varfëria – shkruan Françesku – ka fytyrën e grave, të burrave, të fëmijëve të shfrytëzuar për interesa të ulta, të nëpërkëmbur nga logjika perverse e pushtetit dhe e parasë”.

Të mos rrimë duarkryq

 Ati i Shenjtë bën thirrje të mos rrimë duarkryq. Duhet reaguar para “varfërisë, që i vë fre shpirtit të iniciativës tek të rinjtë, duke i penguar të gjejnë punë; para varfërisë, që anestetizon ndjenjën e përgjegjësisë, duke nxitur njerëzit t’i delegojnë detyrat dhe të kërkojnë favoritizma; para varfërisë, që i helmon puset e pjesëmarrjes aktive dhe i ngushton hapësirat e profesionalitetit, duke poshtëruar kështu ata që kanë merita në punë e prodhim; këtyre gjërave u duhet përgjigjur me një botëkuptim të ri mbi jetën e shoqërinë”. Papa Françesku u bën thirrje të krishterëve të mos dorëzohen e të impenjohen kundër kësaj varfërie.

Impenjim i përgjithshëm kundër varfërisë

Në mesazh, nënvizon: “bekuar qofshin ato duar, që kapërcejnë çdo barrierë kulture, feje dhe kombësie, duke lyer me vajin e ngushëllimit plagët e njerëzimit”. Në takimin me gazetarët, imzot Fisichella shtoi se impenjimi për të varfërit nuk mund të jetë sporadik. Nuk shërben për asgjë të bësh vullnetariat një herë në javë, ose ndonjë gjest vullnetmirë për të qetësuar ndërgjegjen, tha ai. Pavarësisht se të dobishme, këto përvoja duhet ta çojnë të krishterin drejt një stili jetese, ku i varfëri të bëjë pjesë gjithnjë, të jetë impenjim i vazhdueshëm.

Edhe Kisha duhet të reagojë

Në fund të mesazhit, Papa Françesku njofton se Dita I Botërore kushtuar të Varfërve do të kremtohet më 19 nëntorin e këtij viti dhe e fton Kishën ta mbajë vështrimin të ngulur mbi ata, që shtrijnë dorën për ndihmë e solidaritet. “Janë vëllezërit e motrat tona – thekson Ati i Shenjtë – krijuar e dashur nga i njëjti Atë Qiellor. Kjo Ditë synon të stimulojë së pari besimtarët, që të reagojnë kundër kulturës së hedhurinave e të shpërdorimit, duke e bërë të tyren kulturën e takimit”. E Papa Françesku nuk harron të nënvizojë se çdo gjest, çdo ndihmë, duhet shoqëruar me lutje. “Të mos harrojmë se Atyna është lutja e të varfërve – përfundon Ati i Shenjtë. Kërkesa për bukë, në të vërtetë, shpreh lëshimin në duart e Zotit për nevojat parësore të jetës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.