Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa Françesku: dëshmia e krishterë është dritë e kripë, jo siguri artificiale

Pope Francis leads mass at Santa Marta church in Vatican, 02 June 2017. ANSA/OSSERVATORE ROMANO EDITORIAL USE ONLY - ANSA

13/06/2017 14:32

Të jesh dritë e kripë për të tjerët, duke lëvduar Zotin me jetën tënde. Kështu pohoi Papa Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e shtëpisë së Shën Martës, në të cilën morën pjesë edhe Kardinajtë e Këshillit të Nëntëshes. Në homeli, duke komentuar Ungjillin e ditës nga Mateu 5,13-16 dhe leximin nga Letra dytë e Korintianëve 2 Kor 1,18-22, Ati i Shenjtë Bergoglio vuri theksin mbi mesazhin vendimtar e pa zbutje, që propozon Ungjilli. Këndej, i nxiti të krishterët të mos kërkojnë “siguri artificiale”, por të mbështeten me plot besim në Shpirtin Shenjt.

“Po”, “kripa”, “drita”. Janë tri fjalët ungjillore mbi të cilat Papa Françesku u ndal gjatë homelisë së meshës në kapelën e Shën Martës. Ati i Shenjtë, në rend të parë, nënvizoi se kumtimi i Ungjillit është “vendimtar”, pra, nuk ekzistojnë “shprehje të lehta”, as "po" e as "jo", që, në fund të fundit, “të nxisin të kërkosh siguri artificiale”, siç ndodh për shembull me “kazistikën”.

Shpirti Shenjt na nxit të japim dëshminë e krishterë

Këto tri fjalë – që na i propozon Letra e Dytë e Shën Palit drejtuar Korintianëve – vuri në pah Papa “na tregojnë forcën e Ungjillit”, që të çon në “dëshmimin e edhe në glorifikimin e Zotit”. Në këtë “po”, pra, gjejmë “të gjitha fjalët e Hyjit në Jezusin, të gjitha premtimet e Zotit”. Në Jezusin, ripohoi Papa Françesku, “plotësohet gjithë ajo që është premtuar e prandaj, Ai është plotësimi i të gjitha premtimeve”:

“Në Jezusin nuk ka ‘jo’, por gjithmonë ‘po’, për nder të Atit. Po edhe ne marrim pjesë në këtë ‘po-në’ e Jezusit, sepse Ai na shuguroi me vaj, na shenjoi me vulë, na dha ‘pengun’ e Shpirtit Shenjt. Pra, është Shpirti që do të na çojë deri te ‘po-ja’ përfundimtare, deri edhe te plotësia. Po kështu, vetë Shpirti do të na ndihmojë të bëhemi dritë e kripë, do të thotë është Shpirti ai që na çon deri te dëshmia e krishterë”.

Të krishterët janë të thirrur të jenë kripë e dritë

“Po-po”, “jo-jo”: fjalë vendimtare, siç na ka mësuar Zoti Jezus. sepse, kujtoi Papa Françesku, “gjithçka që është më tepër vjen nga i keqi”. E është pikërisht “ky qëndrim i bindjes dhe i dëshmisë – shtoi Ati i Shenjtë – që Jezusi ia ka besuar Kishës e të gjithë ne të pagëzuarve”:

“Bindja në plotësimin e premtimeve në Krishtin: në Krishtin gjithçka është plotësuar. Dëshmia para të tjerëve; dhuratë e marrë nga Hyji në Krishtin, që na ka dhënë vajimin e Shpirtit që të mund të dëshmojmë. Kjo do të thotë të jesh i krishterë: të ndriçosh, të ndihmosh që mesazhi e njerëzit  të mos prishen, siç bën kripa. Por, nëse drita fshihet, kripa bëhet pa shije, pa forcë, dobësohet – dëshmia bëhet e dobët. E kjo ndodh kur unë nuk e pranoj vajimin, nuk e pranoj vulosjen, nuk e pranoj atë ‘kapar’ të Shpirtit Shenjt që është në mua. E kjo ndodh kur nuk e pranoj ‘po-në’ në Jezu Krishtin”.

Propozimi i krishterë, tha Papa Françesku, është aq i thjeshtë, sa edhe “vendimtar e i bukur, e na jep kaq shumë shpresë”.  A “Jam unë dritë për të tjerët? – mund të pyesim vetveten. Unë – tha akoma Papa – a jam kripë për të tjerët?, që i jep shije jetës dhe mbron nga korrupsioni, nga prishja? A jam unë i kapur për Jezu Krishtin, që është ‘po’? A ndjehem unë i vajuar, i vulosur? A e di unë se kjo siguri do të jetë e plotë në Qiell, por së paku është ‘peng’ i Shpirtin Shenjt që tani?”.

I krishteri është “si drita e diellit” kur e nderon Zotin me jetën e vet

Në të folurit tonë të përditshëm, vërejti më tej Papa, “kur një person është plot dritë, themi se ‘ky është një person i ndritshëm’, është ‘si drita e diellit’”: “Mund të thuhet kjo shprehje: ‘Është njeri si drita e diellit’. Kjo mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë mesazhin. Ky person është më shumë se dritë e diellit, mund të themi akoma. Ky është një rreze e Atit në Jezusin, në të cilin të gjitha premtimet janë realizuar. Kjo është rrezja e vajimit të Shpirtit që kemi të gjithë ne. E këtë, pse? Pse e kemi marrë këtë? Na e tregojnë dy Leximet biblike të Meshës së sotme, nga 2 Kor 1,18-22 e nga Mateu 5,13-16. Pali thotë: ‘Prandaj, nëpër Krishtin, edhe ne mund të themi ‘amen’ për nder të Hyjit”. E Jezusi u thotë dishepujve: ‘Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell”. Pra, e gjithë kjo është për të lëvduar Hyjin. Jeta e të krishterit është e tillë”:

Ta kërkojmë këtë hir, përfundoi Papa, që “të jemi të kapur, të rrënjosur në plotësinë e premtimeve në Jezu Krishtin që është ‘po-ja’, tërësisht ‘po’, e t’ua çojmë të tjerëve këtë plotësi me kripën e dritën e dëshmisë sonë, për nder e lavd të Atit që është në qiell”. 

13/06/2017 14:32