2017-06-13 14:26:00

Dita e Jetës në Mbretërinë e Bashkuar. Papa: krijoni kulturën e dashurisë


“Lutem e kërkoj mbrojtjen e Zojës dhe ia besoj asaj, Nënës së Zotit të Gjallë, çështjen e jetës”: kështu shkruan Papa Françesku në mesazhin për popullsinë e Anglisë, Uellsit dhe Skocisë, që përgatitet për të kremtuar Ditën për Jetën, më 18 qershor. Ati i Shenjtë, njofton agjencia katolike SIR, uron që ata, të cilët besojnë në Birin e Hyjit, të dëshmojnë jetën dhe, së bashku me gjithë njerëzit vullnetmirë, të kontribuojnë për një kulturë të së vërtetës e të dashurisë.

50 vjet më parë, ligji mbi abortin

Mesazhi u bë i ditur nga nunci i ri apostolik në Britaninë e Madhe, imzot Edward Adams dhe i drejtohet ipeshkvit të ngarkuar me organizimin e Ditës, imzot John Sherrington. Në tetor, mbushen 50 vjet nga hyrja në fuqi e ligjit për abortin në Mbretërinë e Bashkuar. Ipeshkvijtë, në një komunikatë të tyre, i ftojnë të krishterët të luten për të gjithë të palindurit e t’u japin mbështetje e përkrahje praktike grave e burrave, të shqetësuar për ndonjë shtatzani të papritur.

Mbledhje fondesh në favor të jetës

Për ata, që kanë kryer abort, ipeshkvijtë citojnë fjalët e Papës Françesku në Letrën apostolike “Misericordia et misera”: “Nuk ka mëkat që mëshira e Zotit s’mund ta arrijë e ta shlyejë, kur gjen një zemër të penduar, e cila përpiqet të pajtohet me Atin Qiellor”. Gjatë kësaj Dite, do të mblidhen fonde, që do t’i dorëzohen Qendrës së Bioetikës “Anscombe”, në mbështetje të veprimtarive të Kishës në favor të jetës, nga zënia deri në vdekjen e natyrshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.