2017-06-12 13:48:00

Papa: ngushëllimi të mos jetë “i trukuar”, i vërteti merret e dhurohet


Ngushëllimi është dhuratë e Zotit dhe shërbim ndaj tjetrit: askush nuk mund ta ngushëllojë i vetëm vetveten, sepse përndryshe është si të shikohesh në pasqyrë. Ky, mesazhi i Papës gjatë homelisë mbajtur në Meshën e mëngjesit, kremtuar sot në Shën Martë. Duhet, prandaj, ta hapim zemrën, jo ta mbyllim. Për ta provuar ngushëllimin, duhet një zemër e hapur, zemra e të varfërve të shpirtit, zemra e hapur e të drejtëve, jo zemra e mbyllur e të padrejtëve.

Përvoja e ngushëllimit ishte në qendër të homelisë së Papës Françesku, që u nis nga Leximi i Parë i sotëm, në të cilin nëntë herë, në 19 rreshta, përmendet pikërisht ngushëllimi. Ishte, prandaj, rast për të menduar për ngushëllimin, të cilin e kujton aq shumë Shën Pali.

Ngushëllimi nuk është vetëqeverisje

Karakteristika e parë e ngushëllimit: ai nuk është autonom. Përvoja e ngushëllimit, thellësisht shpirtërore, ka nevojë gjithnjë për tjetrin,  që të jetë e plotë: asnjeri nuk mund ta ngushëllojë vetveten, asnjeri. E kush përpiqet ta bëjë këtë, përfundon para pasqyrës, shikohet në pasqyrë, përpiqet ta trukojë vetveten, të duket ashtu si nuk është. Ngushëllohet me sende të mbyllura, që nuk e lënë të rritet, e ajri që thith, është ajri narcizist i vetëvlerësimit. Ky është ngushëllim i trukuar, që nuk të lë të rritesh. Nuk është ngushëllim i vërtetë, sepse i mbyllur, i mungon tjetri.

Në Ungjill takojmë shumë njerëz të tillë - pohoi Papa gjatë homelisë, mbajtur në Shtëpinë e Shën Martës. - Për shembull, doktorët e Ligjit, përplot me vetveten aq, sa të mos kenë më vend për tjetrin; Epuloni i pasur, që e kalon jetën nga festa në festë, duke menduar se kështu mund të ngushëllohet vetvetja e të harrohet çdo mjerim i kësaj bote. Por, më mirë se të gjitha këto sjellje këtë e shpreh lutja e farizeut para altarit. Në Leximin e faqes ungjillore e dëgjojmë duke shqiptuar plot krenari fjalët, drejtuar Zotit: “Të falënderoj, se nuk jam si të tjerët”. Ky s’bënte tjetër, veçse shikohej në pasqyrë - vërejti Papa - shikonte shpirtin e tij të trukuar nga ideologjitë dhe falënderonte Zotin. Jezusi na bën të shikojmë, kështu, se edhe ne mund të jemi njerëz të tillë, njerëz që, me këtë mënyrë jetese, nuk do ta arrijnë kurrë përsosurinë, shum-shumë mund të krekosen,  mund të vetëmburren. Këtë po, mund ta arrijnë.

Ngushëllimi është dhuratë e shërbim

Ngushëllimi, që të jetë i vërtetë, ka nevojë për tjetrin. Para së gjithash,  gjithçka merret sepse “është Zoti ai që ngushëllon”, që na e jep këtë dhuratë. Pastaj ngushëllimi fiton pjekurinë edhe në një mënyrë tjetër, me përpjekjen për t’i ngushëlluar të tjerët. Ngushëllimi është gjendje kalimi nga dhurata e marrë, në shërbimin e dhënë, shpjegoi Papa:

“Ngushëllimi i vërtetë e ka këtë natyrë të dyfishtë: është dhuratë e shërbim. E kështu nëse unë e lë të më hyjë në shpirt ngushëllimi i Zotit si dhuratë, e bëj këtë sepse kam nevojë të ngushëllohem. Jam nevojtar: që të ngushëllohesh, është e nevojshme të jesh nevojtar”.

Vetëm kështu Zoti vjen, na ngushëllon e na beson misionin t’i ngushëllojmë edhe të tjerët. E nuk është aspak e lehtë ta kesh zemrën të hapur, për ta marrë dhuratën e për të kryer shërbimin, dy veprime,  që e bëjnë të mundur ngushëllimin.

Mësimi i Lumnive

Duhet të kemi, pra, një zemër të hapur, e për ta pasur kështu, zemra duhet të jetë e lumtur. Pikërisht Ungjilli i sotëm i Lumnive na kujton kush janë të lumturit:

 “Janë të varfërit, sepse zemra hapet me një sjellje varfërie, varfërie të shpirtit. Janë ata, që dinë të qajnë, ata që janë zemërbutë, që kanë etje për drejtësi, që luftojnë për drejtësi; ata që janë të mëshirshëm, që kanë mëshirë për të tjerët; janë zemërpastrit, punëtorët e paqes, të persekutuarit nga shkaku i drejtësisë, nga dashuria për drejtësinë. Kështu hapet zemra e Zoti vjen me dhuratën e ngushëllimit e me misionin për të ngushëlluar edhe të tjerët”.

Ata, që e kanë zemrën të mbyllur

Ndërsa janë zemërmbyllur ata, që ndjehen të pasur në shpirt, që u mjafton vetvetja, që nuk kanë nevojë të qajnë, ngaqë besojnë se janë të drejtë; janë të dhunshmit, që nuk dinë ç’është butësia; të padrejtët, që kryejnë gjithfarë padrejtësish; ata që nuk dinë ç’është mëshira, që nuk kanë kurrë nevojë të falin, sepse nuk e ndjejnë as nevojën të falen; ata, që e kanë zemrën të ndyrë, punonjësit e luftërave e jo të paqes, ata që nuk kritikohen e as nuk persekutohen kurrë, sepse nuk u bëhet vonë fare për padrejtësitë që pësojnë të tjerët. Këta - theksoi Papa - janë njerëzit me zemër të mbyllur: nuk janë të lum, sepse në zemrat e tyre nuk mund të hyjë dhurata e ngushëllimit, për të mundur, pastaj, t’ua dhurojnë edhe të tjerëve.

Ta hapim portën e zemrës

Në përfundim Papa i ftoi të gjithë ta pyesin veten si e kanë zemrën, të hapur, të aftë për të kërkuar dhuratën e ngushëllimit, për t’ua dhënë, më pas, edhe të tjerëve si dhuratë të Zotit, apo të mbyllur. Duhet të ndalemi e të mendojmë gjatë ditës për këto gjëra e ta falënderojmë Zotin, që përpiqet të na ngushëllojë gjithnjë. “Një gjë vetëm kërkon: ta kemi gjithnjë portën e zemrës të hapur,  e,  në mos të hapur, të avitur, kështu që ai të mund ta hapë e të hyjë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.