Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Përfundon në Bullgari Takimi i zëdhënësve të Kishave të Evropës

Zëdhënësit e Konferencave Ipeshkvnore Evropiane - RV

12/06/2017 18:08

Në Sofie të Bullgarisë, nga 7 deri më 10 qershor, u mbajt Takimi i përfaqësuesve të shtypit dhe i zëdhënësve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, të cilët diskutuan mbi përdorimin e mediave të reja, sidomos të rrjeteve shoqërore, për të rritur përmasën sinodale të Kishës. Gjithashtu, në qendër të vëmendjes ishte edhe komunikimi i kuptimit të krishterë për thirrjen e Zotit, i shërbimit dhe i pasionit të Kishës për Evropën, i luftës kundër formave të abuzimit me të miturit në internet.

45 delegatët nga 25 vende evropiane - ndër të cilët edhe don Gjergj Meta e don Agustin Bardhi, përfaqësues për Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë - u njohën edhe me trashëgiminë kulturore e kristiane të Bullgarisë, u takuan me eksponentë të mediave dhe kremtuan meshën me bashkësinë lokale, të përbërë nga të krishterë të ritit latin dhe ata të ritit bizantin. Nga janari 2018, Bullgaria, prej dhjetë vjetësh në Bashkimin Evropian, do të marrë në dorë, për herë të parë në histori, presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në deklaratën përfundimtare të Takimit, pasi vihen në dukje problemet, që akoma ka Kisha në Bullgari për t’u njohur juridikisht nga shteti, bëhet një reflektim i gjërë mbi mënyrat e reja të komunikimit kishtar, për të lehtësuar pjesëmarrjen e besimtarëve në jetën e Kishës. “Në komunikimin e nocionit të krishterë për thirrjen e Zotit, - shkruhet në deklaratë – Kisha nuk mund të mos përdorë mjetet e reja të komunikimit, rrjetet shoqërore dhe kulturën e imazhit, në të cilën janë zhytur të rinjtë e sotëm. Është e nevojshme të punohet shumë, duke përdorur pedagogjinë e videove dhe duke u dhënë zë atyre përvojave, që dinë ta dëshmojnë bukurinë e thirrjeve të ndryshme në Kishë si shërbim për të mirën e të gjithëve e për lavdinë e Hyjit. Njëkohësisht, duhen ndihmuar njerëzit të reflektojnë mbi marrëdhëniet e tyre me Zotin, që thërret secilin prej nesh”.

Përsa i përket abuzimeve me të miturit, në Sofie u vu në dukje se pavarësisht nga fajet e disa meshtarëve, Kisha vazhdon të jetë në vijën e parë të frontit kundër çdo lloj forme shpërdorimi. Pjesëmarrësit u përqendruan në abuzimin me të miturit përmes internetit. Zëdhënësit e Kishës u informuan për masat e nismat në këtë fushë, sidomos për kongresin e ardhshëm ndërkombëtar me temë “Dinjiteti i fëmijëve në botën digjitale”, që do të mbahet në Romë nga 3 deri më 6 tetor, organizuar nga Qendra për Mbrojtjen e Fëmijëve në Universitetin Papnor Gregorian.

Pasi shkëmbyen përvojën e dëgjuan zgjidhjet më të mira për problemet e shtruara, zëdhënësit e Konferencave Ipeshkvnore vendosën që takimi i ardhshëm i tyre të mbahet në Romë, nga 26 deri më 28 qershor 2018.

12/06/2017 18:08