2017-06-12 14:35:00

Kush është Shna Ndou i Padovës?


Nesër, më 13 qershor, Kisha katolike përkujton Shëna Ndoun e Padovës, meshtar françeskan e Doktor i Kishës. Pra, sonte e nesër, kudo në botë, posaçërisht në Padovë të Italisë e Lisbonë të Portugalisë, po edhe ndër shqiptarë, Shën Antoni festohet me nderim të posaçëm dhe me solemnitet të veçantë në Laç të Sebastes, në Kurbnesh, në Gjakovë, në Prishtinë, Glloxhan e në vende tjera, ku mijëra besimtarë shtegtojnë në Kishat a shenjtërore kushtuar shenjtit në trojet shqiptare. Po të ndalemi te figura e këtij teologu të shquar e këtij mësuesi shembullor të jetës baritore, që është Shën Antoni

Shna Ndou i Padovës (siç njihet në letërsinë kishtare), lindi në Lisbonë të Portugalisë më 15 gusht 1195, në një familje fisnikësh. Dita e lindjes së Tij përkoi me festën e Ngjitjes së Zojës në Qiell. Maria Teresa Tavera, një pasardhëse e familjes mbretërore të Asturias, e quajti lindjen e fëmijës, që mori emrin Fernand, dhuratë nga Zoja.  

Tre parimet, mbi të cilat u mbështet formimi shpirtëror i Fernandit, ishin: përvujtëria, dlirësia dhe mëshira, mësimet kryesore të Jezusit për ndjekësit e Tij. Në moshën 15–vjeçare Fernandi u largua nga familja dhe nisi rishtarinë në një manastir agostinianësh, që ngrihej mbi një kodër buzë lumit Tago. Kështu, fillimisht, u formua në shkollën e Shën Agostinit, duke studiuar veprat e Atit të Madh të krishterimit, pa harruar Biblën, komentet e thella të Etërve të Kishës dhe veprat bashkëkohore enciklopedike. Mbas dy vitesh Fernandi u largua nga kodrat e lulëzuara të qytetit të lindjes, për të gjetur strehë në abacinë e Shën Kryqit të Koimbrës, kryeqytet i atëhershëm i Portugalisë e qyteti universitar më i famshëm i saj.

Simbas njërit prej biografëve të Tij, Rigauld: “Në kronikat e abacisë Fernandi përshkruhet si njeri i famshëm, i ditur dhe i shenjtë, i pajisur me njohuri të thella letrare e i kurorëzuar me merita të lumnueshme”.

Në Koimbra Fernandi qëndroi nëntë vjet. Mbas tyre, u njoh me përvojën e Shën Françeskut të Asizit, nëpërmjet pesë martirëve që u mbytën në Marok, dhe vendosi të hyjë në Urdhrin e Fretërve të Vegjël. E ndërroi jetën akademike të kanonikut agostinian, me thjeshtësinë françeskane. Ndërroi edhe emrin në Anton (Ndue) e duke kërkuar mbrojtjen e Varfanjakut të Asizit, u largua nga atdheu, me ëndrrën që të nisej për në Marok, për të përhapur atje mësimet e Ungjillit. Nuk arriti të sendërtojë misionin që i vuri vetes sepse, sapo zbriti në Marok, e zunë ethet e malaries, nga të cilat u shërua vetëm mbas disa muajsh.

Si u shërua, u nis me anije për t’u kthyer në Spanjë, por një stuhi e fuqishme e detyroi të zbarkonte në Sicili. Këtu filloi veprimtaria baritore e Tij, që u zhvillua në shumë qytete të Italisë si Montepaolo, Cefalû, Noto, Lentini, Forlí, Rimini, Vercelli, Bologna e Padova, qytet që mbeti i lidhur përjetësisht me emrin e Tij. Pas shumë endjesh, predikimesh e mrekullish, Papa Gregori IX e quajti “Arka e gjallë e Biblës”.  

Kjo ishte, me pak penelata, figura e Shenjtit që u bë kaq i dashur për breza të tërë shqiptarësh, të cilëve u dha guxim për të përballuar vështirësitë e jetës e deri për të sfiduar diktaturën.

Shna Ndou i Padovës mbylli sytë tek Portat e qytetit italian, më 13 qershor 1231. Padova, që e kishte pritur me entuziazëm e dashuri në jetë, e bëri të vetin, me nderim e devocion, edhe pas vdekjes. 








All the contents on this site are copyrighted ©.