2017-06-12 14:42:00

Imzot Jurkoviç në OKB për fëmijët, emigrantë të pashoqëruar


Këto ditë, Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë në OKB-në e Gjenevës e ngriti zërin në mbrojtje të fëmijëve dhe të adoleshentëve, që mbërrijnë si emigrantë në botën perëndimore, pa u shoqëruar nga prindërit, ose nga ndonjë i rritur. Imzot Ivan Jurkoviç foli gjatë mbledhjes së Këshillit për të Drejtat e Njeriut, kushtuar kësaj teme.

         Shpesh, denoncoi ai, fëmijët dhe adoleshentët shfrytëzohen deri në palcë, duke ua shkatërruar jetën dhe të ardhmen. Ata s’mund të shkojnë në shkollë dhe u mungon asistenca mjekësore; rrezikojnë çdo ditë të bien në duart e trafikanteve, të shfrytëzuesve të seksit dhe të njerëzve të tjerë të paskrupullt. Imzot Jurkoviç kujtoi konferencën e mbajtur nga Selia e Shenjtë, në bashkëpunim me Karitasin Ndërkombëtar dhe me Komisionin Ndërkombëtar Katolik për Emigracionin, ku u fol për fëmijët e pashoqëruar dhe për pasojat e emigrimit të tyre. “Të respektosh fëmijët – ngriti zërin Vëzhguesi i Vatikanit – do të thotë të respektosh gjithë njerëzimin, sepse ata janë e ardhmja dhe shpresa e tij. Fëmijët nuk mund të kriminalizohen, ose të jenë subjekt i masave ndëshkuese, për shkak të statusit të tyre të emigrantit apo të atij të prindërve. Praktika e burgosjes së fëmijëve emigrantë nuk mund të jetë opcion - nënvizoi imzot Jurkoviç. Duhet menduar vetëm për të mirën e tyre, pasi edhe një kohë e shkurtër burgosjeje mund të ketë pasoja të pashlyeshme për jetën e fëmijëve".








All the contents on this site are copyrighted ©.