2017-06-12 13:46:00

G7 për Ambientin: fetë impenjohen përmes Kartës së Vlerave


Iu dorëzua dje në Bolonjë ministrave të G7-ës për Ambientin, Karta e Vlerave dhe e Veprimeve, nënshkruar nga përfaqësuesit e feve më të mëdha të botës, simbol i rolit të tyre të rëndësishëm në mbrojtjen e planetit e në theksimin e nevojës së bashkëpunimit të shoqërisë me politikën. Karta u hartua gjatë Tryezës së Dialogut e të Konfrontimit Ndërfetar mbi Ruajtjen e Gjithësisë, organizuar nga “Earth Day Italia”, gjithnjë në kuadrin e G7-ës për Ambientin.

Pjesëmarrësve iu drejtua me një mesazh edhe Papa Françesku, i cili uron “të përtërihet impenjimi për njohjen dhe ruajtjen e gjithësisë, dhuratë e pakrahasueshme e Zotit, që bota të jetë vend i banueshëm nga të gjithë”.

Në Kartën e Vlerave, të gjitha fetë u bëjnë thirrje vendeve të pasura ta ndjejnë përgjegjësinë ndaj vendeve të varfëra dhe t’i ndihmojnë të kapërcejnë problemet e krijuara nga ndryshimet e klimës dhe prishja e ambientit. Rruga për këtë mund të jetë shndërrimi i ekonomive, masat për të ulur në mënyrë drastike emetimin e karbonit dhe përdorimi më i madh i teknologjive, shpikjeve dhe të rejave në fushën e ekonomisë së gjelbërt. Në dokument nënvizohet se kriza ekologjike është e lidhur pazgjidhshmërisht me problemet globale të varfërisë, çrregullimeve dhe emigracionit. Gjithashtu, shprehet domosdoshmëria për të mbrojtur marrëveshjen e Parisit për klimën dhe zbatimet e saj. Teksti është nënshkruar nga përfaqësues të bashkësive katolike, hebraike, budiste, hinduiste dhe myslimane.

 Marrëveshja e Parisit mori një goditje të fuqishme nga dalja e SHBA-ve. Natyrisht, mosrespektimi i paktit nuk ka pasoja të menjëhershme, por shkurajon çdo lloj akordi, nënvizojnë përfaqësuesit fetarë. Është e kotë të nënshkruhen marrëveshje, nëse më vonë ndokush largohet pa probleme. Pasoja e menjëhershme e gjestit amerikan është pa dyshim, dobësimi i konsensusit mbi temat ambientale, theksojnë bashkësitë fetare, nënshkruese të Kartës së Vlerave.








All the contents on this site are copyrighted ©.