2017-06-12 17:19:00

Dita Botërore kundër Punës së fëmijëve: një ndër katër, shfytëzohet


“Në konflikte dhe në fatkeqësi natyrore: të mbrohen fëmijët nga punësimi i të miturve”. Kjo është tema e Ditës së sotme Botërore kundër kësaj plage, që godet sidomos vendet më të varfëra e ato në luftë. Të punësosh një fëmijë, vënë në dukje studimet e fundit, do të thotë të vësh në rrezik shëndetin e tij mendor e fizik, duke e dënuar të miturin të ketë një jetë pa gëzime e pa arsimim.

         Fëmijët e punësuar në botë arrijnë shifrën 150 milion, denoncon UNICEF-i, e kanë një moshë nga 5 deri në 14 vjeç. Shumica e tyre jetojnë në Afrikën subsahariane, në disa zona të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, në Lindjen e Mesme… Mundësia që këta fëmijë të jenë femra është shumë më e madhe se ajo e meshkujve. Të shumta fushat, në të cilat përdoren fëmijët: nga punët e detyruara të shtëpisë në kuzhinier për ushtarët, në ushtarë ata vetë, në lajmëtarë që detyrohen të kalojnë edhe nëpër zona të rrezikshme, në mbartës të armëve të rënda, ose thjesht në ndihmës për ekonomitë e varfëra të familjeve të tyre, kur u duhet të lypin rrugëve. Për të mos folur për shfrytëzimin e fëmijëve në kampet e refugjatëve, ku shpesh mbeten vetëm, pasi kanë humbur familjen.

         Fillon të bëhet shqetësuese edhe gjendja e fëmijëve në vendet, ku ata emigrojnë së bashku me familjen. Në disa raste ata shfrytëzohen për punë të zezë, si për shembull, mbledhja e domateve, ose përfundojnë në duart e trafikantëve të drogës e të prostitucionit. Shifrat janë akoma të pasigurta për shkak të vështirësive në regjistrimin e këtyre fëmijëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.