Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 12 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Onufrin, oshënar

The painting 'Cristo alla Colonna'' by Italian artist Donato Bramante is presented to the press after its restoration at the Brera Pinacoteca in Milan, northern Italy, 01 June 2017 - ANSA

12/06/2017 14:37

Sot më 12 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Onufrin, oshënar. Pafnuci, murg në Egjiptin e shekullit V, duke dashur të takojë vetmitarët, për ta njohur nga afër jetën e tyre, për të cilën flitej aq shumë në atë kohë e në atë zonë, u nis drejt shkretëtirës në kërkim të tyre. Pas 21 ditësh, u ul të pushonte përdhe, i lodhur e i këputur. Papritmas pa para vetes një figurë njerëzore të tmerrshme, mbuluar prej koke ndër këmbë nga flokët e gjatë e nga disa gjethe.

Kjo mënyrë për të mbuluar trupin ishte e zakonshme për vetmitarët, të cilët qenë mësuar të rrinin fare vetëm, pa i parë kush tjetër, veç engjëjve. E prandaj kishin hequr dorë nga veshjet, të cilat shkretëtira i shkatërronte shpejt. E në sa vijonin atë mënyrë jetese, larg çdo vendi të banuar, nuk e kishin të lehtë t’ zëvendësonin me veshje të tjera.

Në fillim Pafnuci u tmerrua e deshi të ikte me vrap, por figura njerëzore i foli e iu lut të rrinte. Atëherë e kuptoi se kishte gjetur pikërisht atë që kërkonte: një vetmitar. Si u bënë miq, nisën t’i tregonin njëri-tjetrit gjithçka. Vetmitari i tregoi Pafnucit se quhej Onufër e se jetonte që prej 70 vjetësh në shkretëtirë, pa parë kurrë frymë njeriu. Ushqehej me barishte e pushonte shpellash. Në fillim kishte jetuar në një manastir të Tebaides në Ermopolis, së bashku me njëqind murgjër të tjerë.

Por, duke dëshiruar të ndjekë shembullin e Shën Gjon Pagëzuesit e të Elisë Profet, kishte lënë manastirin e i ishte kushtuar jetës oshënare. Si kishte hyrë në zonën e oshënarëve me pak ushqim në trastë, ishte takuar në një shpellë me një vetmitar tjetër, të cilit i qe lutur ta mësonte si ta jetonte këtë jetë kaq të jashtëzakonshme. E ai ia kishte plotësuar dëshirën. E kishte çuar në një oazë, ku kishte ndenjur me të 30 ditë e pastaj e kishte lënë vetëm, duke u kthyer në shpellën e vet. Një herë në vit i bënte një vizitë për ta ngushëlluar. Gjatë njërës nga këto vizita, sapo kishte arritur, qe përkulur për ta përshëndetur e, papritur, qe shtrirë përdhe pa frymë. Ai e pati varrosur në një vend pranë shpellës ku strehohej.

Onufri i tregoi pastaj Pafnucit si i përshtatej ndryshimit të stinëve e si e ndihmonte një engjëll, që i sillte ushqimin e Kungimin Shenjt, mrekulli të cilën më pas e pa edhe vetmitari i ri. Vijuan kështu bisedat, deri një ditë kur Onufri e porositi të largohej nga ai vend, të kthehej në Egjipt e të tregonte çka kishte parë. Si kreu së foluri e bekoi e dha shpirt. Pafnuci e mbuloi me një copë të mantelit të vet dhe e varrosi në një plasë shkëmbi. Pra se të nisej, një tërmet e shkatërroi shpellën ku kishte jetuar Onufri, duke treguar se vullneti i Zotit ishte që në atë vend të mos jetonte më asnjë vetmitar apo oshënar.

Atëherë Pafnuci u nis e, në vijim të jetës së tij si murg, shkroi “Jetën e Shën Onufrit” në të cilën pohon se jeta vetmitare në shkretëtirë, është më e përkryera për njeriun e se Shën Onufri vdiq më 11 qershor. Sidoqoftë, Kisha e kremton më 12 qershor. Kulti i Shenjtit u përhap në të gjitha vendet e Azisë së Vogël e të Egjiptit, në sa figura e tij, me flokët e gjatë e gjethet në vend të petkut, vijon t’i frymëzojë artistët.

12/06/2017 14:37