2017-06-11 15:38:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: Zoti është vetëm Dashuri, në një marrëdhënie, që shenjtëron


“Jezusi na e dëftoi fytyrën e Zotit. Zoti është i tëri e vetëm Dashuri, në një marrëdhënie që gjithçka krijon, shëlbon e shenjtëron: Ati e Biri e Shpirti Shenjt”. Këto, fjalët e Françeskut drejtuar shtegtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për Engjëllin e Tënzot, në festën e Trinisë Shenjte. Maria na ndihmoftë - tha Papa - të hyjmë në Bashkimin trinitar për ta jetuar e për ta dëshmuar dashurinë, që i jep kuptim jetës sonë.

Leximet e propozuara sot nga liturgjia, na ndihmojnë të hyjmë në misterin e identitetit të Zotit -  pohoi Papa - duke kujtuar menjëherë Leximin e dytë,  me bekimin e Shën Palit drejtuar bashkësisë së Korintit, fryt i përvojës së tij personale të dashurisë së Zotit, dëftuar nga Krishti, e cila e shndërroi jetën e tij, duke e bërë apostull të popujve. I nisur nga kjo përvojë, Pali i nxit këta të krishterë të jenë plot gëzim, të kërkojnë përsosurinë, duke i dhënë zemër njëri-tjetrit e duke jetuar në paqe:

“Bashkësia e krishterë, edhe pse me kufizime njerëzore, mund të bëhet pasqyrim i Trinisë, i mirësisë e i bukurisë së saj. Por kjo, siç na e dëshmon vetë Shën Pali, kalon medoemos përmes përvojës të mëshirës së Zotit, të ndjesës së Tij”.

Kështu i qe dukur Zoti edhe Moisiut, mbi një re; e kështu i tha, duke e shpallur emrin e Tij: “Zoti, Hyji i mëshirshëm e përdëllyes, i ngadalshëm në zemërim e i pasur me dashuri e besnikëri”:

“Ky emër tregon se Zoti nuk është i largët, i mbyllur në vetvete, por është Jetë, që dëshiron të komunikohet, është hapje, është dashuri, e cila e çliron njeriun nga pabesitë”.

Zoti është i “mëshirshëm”, “përdëllyes”, “i pasur me hir”, e kjo zbulesë  përmbushet plotësisht në Jezu Krishtin:

“Jezusi na e dëftoi fytyrën e Zotit. Nji në substancë e Tre në Vetje: Zoti është i tëri e vetëm dashuri, i pranishëm, në një marrëdhënie që gjithçka krijon, shëlbon e shenjtëron: Ati e Biri e Shpirti Shenjt”.

E pastaj, në Ungjillin e sotëm takohemi edhe me Nikodemin, kërkuesin e etur të Zotit. Gjatë dialogut të tij me Jezusin, në orët e vona të natës, Nikodemi kupton, më në fund - pohoi Papa -  se Zoti e kërkonte, e priste e se vetëm Ai mund ta japë jetën e pasosur: 

“Por, ç’është kjo jeta e pasosur? Është dashuria e pamasë e falas e Atit, që Jezusi na e dhuroi mbi kryq, duke flijuar jetën e vet për shëlbimin tonë. Kjo dashuri, me veprimin e Shpirtit Shenjt, rrezatoi një dritë të re përmbi tokë e në çdo zemër njerëzore, që e pranon; një dritë, që nxjerr në pah skutat e errëta e vrazhdësitë, të cilat na pengojnë të japim frytet e mira të dashurisë e të mëshirës”.

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi edhe se dje, në Spezia të Italisë, u lumnua rregulltarja Itala Mela, që kreu një rrugë mistike  të përqendruar mbi misterin e Trinisë Shenjte. Dëshmia e së Lumes së re – përfundoi Papa – na inkurajoftë gjatë ditëve tona për të menduar sa më shpesh për Hyjin Atë, Birin e Shpirtin Shenjt, që banon në qelinë e zemrës sonë.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.