Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa: kërko gëzimin e vërtetë të Zotit, jo bukurinë e trukuar të kotësisë

Papa kremton Meshën në Shën Martë

09/06/2017 12:28

Në çastet më të këqija, të trishtimit, të dhembjes e edhe të fyerjeve, të zgjedhim rrugën e lutjes, të durimit, të shpresës në Zotin, pa rënë në mashtrimin e kotësisë. Kështu u shpreh sot Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Nuk duhet të na gënjejë bukuria e trukuar e kotësisë, por t’ia hapim zemrën gëzimit, që vjen nga Zoti, duke e falënderuar për shëlbimin e Tij.  Ky, reflektimi i Papës, frymëzuar prej Leximit të parë, shkëputur nga Libri i Tobisë. Françesku rikujtoi posaçërisht historinë krejt normale të një vjehrri e të një nuseje: Tobit, babait të Tobisë, që u verbua dhe Sarës, gruas së Tobisë, që akuzohej si shkaktare e vdekjes së disa njerëzve. Një fragment - komentoi Papa - përmes të cilit kuptohet sesi Zoti e çon përpara historinë dhe jetën e njerëzve, e edhe jetën tonë. Tobi e Sara - vijoi Françesku - jetuan çaste të shëmtuara e çaste të bukura, siç ndodh në jetë. Tobi ishte i persekutuar, i tallur, i fyer deri nga e shoqja, ndonëse nuk ishte grua e keqe e punonte sa mundte për të mbajtur shtëpinë, mbasi ai ishte i verbuar. Që të dy në këto çaste, kur shikonin vetëm zi - vërejti Françesku - menduan se do të ishte më mirë t’i jepnin fund jetës. Të vdisnin. Për të mos parë shëmtime të tjera. E për të mos vuajtur më:

“Të gjithë kemi kaluar çaste të këqija,  hidhërime të forta, ndoshta jo aq, sa këto që po kujtojmë, por gjithsesi e dimë  çka ndjehet në çastin e errët, në çastin e dhembjes, në çastin e zi të jetës. E dimë fare mirë! Në çaste të tilla, Sara mendon: ‘Po të var veten, prindërit e mi do të vuajnë shumë. E nuk e meritojnë këtë vuajtje’. Mendon kështu e, në vend që të varë veten, gjunjëzohet në lutje”.

E edhe Tobi thotë:

“Ç’t’i bësh. Kështu qenka shkruar për mua’ - e lutet, lutet, lutet. Pikërisht kjo është sjellja, që na shpëton në çastet e rrezikshme. Në çastet e trishtuara, në çastet e errëta, mund të na shpëtojnë vetëm lutja e shpresa: mos e harroni këtë!”.

Por jeta e tyre nuk është e ngjyrosur vetëm me të zezë. Ka edhe çaste të  bukura historia e tyre. Gjithsesi Papa nënvizoi se nuk bëhet fjalë për një “happy ending”, një fund të lumtur, si në disa romane të trëndafilta:

“Pas provës, Zoti bëhet i afërmi i tyre e i shpëton. E jetojnë edhe çaste  me bukuri të vërtetë, jo të trukuar, në të cilat gjithçka është artificiale, si shpërthim fishekzjarresh që duken e zhduken sakaq, duke lënë pas errësirën. Sepse nuk janë bukuri shpirtërore, që i bën ballë çdo zezone”.

E çfarë bëjnë ata të dy në çastet e bukura? I luten përsëri Zotit e zemra e tyre bëhet mal në lutjen e falënderimit.

Në përfundim të homelisë, Papa i nxiti të gjithë ta pyesin veten nëse në rrethanat e ndryshme të jetës sonë jemi në gjendje të kuptojmë se çastet e vështira janë ”kryqi ynë”, e se duhet të lutemi e të kemi sadopak durim e shpresë. Sidomos, duhet ta shmangim rrezikun e rënies në kotësi, me vetëdijen se Zoti është gjithnjë pranë nesh, kur i drejtohemi në lutje. E pa harruar se duhet falënderuar për gëzimin që na jep, pas mjerimit; për çastet e bardha, pas atyre të zeza. Sara, duke e shqyrtuar hollë jetën e saj e kuptoi se nuk duhej të vetëvarej; e Tobi e kuptoi se duhet të priste në lutjen plot me shpresë, shpëtimin e Zotit. Këtë kujtoi sot Papa, duke i ftuar besimtarët t’i lexojnë këto fragmente të Biblës:

“Ndërsa ne, në këtë fundjave, duke e lexuar këtë Libër biblik, të kërkojmë hirin për të shqyrtuar çka ndodh në çaste të errëta të jetës sonë e si mund të shkojmë përpara, pa u vetëvarur e pa u vetëvrarë, por edhe çka ndodh në çastet e bukura, e të mos mashtrohemi nga kotësitë e kësaj jete”.

09/06/2017 12:28