2017-06-09 14:00:00

Papa: e nevojshme prania e gruas në jetën shoqërore e kishtare


Gratë duhet të jenë të pranishme në fusha të ndryshme të jetës, që të kontribuojnë për unitetin e familjes njerëzore, duke e kapëcyer kulturën e  hedhurinës. Kështu u shpreh Papa, gjatë takimit, në Vatikan, me pjesëmarrësit në Plenaren e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, mbledhur këto ditë për të diskutuar rreth temës: “Roli i gruas në edukimin me vëllazërimin universal”. Papa i ftoi gratë që, me dhuratat e tyre e me aftësitë e tyre,  të ecin së bashku me burrat në rrugën e dialogut.

Sot, më shumë se kurrë - theksoi me forcë Françesku -  është e nevojshme që gruaja të jetë e pranishme në jetën shoqërore, ekonomike, politike, kombëtare, ndërkombëtare e edhe kishtare, në një botë që e nënvleftëson dhe e lëndon dinjitetin e saj, duke e bërë shpesh viktimë të padrejtësive e të dhunës:

“Gratë, e edhe fëmijët, janë  gjithnjë më shpesh ndërmjet viktimave të dhunës së verbër. Atje ku sundojnë urrejtja e dhuna, rrënohen familjet dhe shoqëritë, gjë që e pengon gruan ta kryejë, në mënyrë të qetë e të frytshme, krah për krah me burrin, misionin e saj si edukatore”.

Hapi i parë për një shoqëri të drejtë e vëllazërore - kujtoi Papa - është  vlerësimi i rolit të gruas:

“Kështu gratë, të lidhura ngushtë me misterin e jetës, me kujdesin e  tyre për mbrojtjen e saj e me bindjen se dashuria është forca e vetme  që e bën botën të banueshme për të gjithë, mund të ndihmojnë shumë për t’i frymëzuar njerëzit me frymën e vëllazërimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.