2017-06-09 14:16:00

Më 9 qershor kalendari kishtar përkujton shën Efremin, diakon e doktor i Kishës


Më 9 qershor kalendari kishtar përkujton shën Efremin, diakon e doktor i Kishës. Këtij shenjti, teolog e poet i shekullit IV, Papa Benediktit XVI ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme të 28 nëntorit të 2007. Papa Benedikti XVI e kujtoi figurën e Efremit, lindur në vitin 306 e vdekur nga murtaja, që iu ngjit në sa u shërbente të sëmurëve, duke u ndaluar në mënyrë të posaçme tek veprimtaria e tij e shquar në shërbim të të gjithëve aq, sa që bashkëkohasit e kujtojnë me epitetin ‘shërbyesi’.

Ai – shpjegoi Papa Ratzinger – i përkiste kategorisë së njerëzve që ia kushtojnë krejt jetën Krishtit në shërbim të bashkësisë kishtare, duke i jetuar besnikërisht kushtet e virgjërisë e të varfërisë. Njeri tejet i thjeshtë, Efremi mbeti deri në vdekje diakon. Ai e thelloi reflektimin teologjik përmes poezisë e mund të themi se tipari kryesor i veprës së tij është takimi i teologjisë me poezinë.

“Teologjia, reflektimi fetar, poezia, kënga, lavdërimi i Hyjit shkrihen së bashku e pikërisht në këtë karakter liturgjik të teologjisë së tij, duket qartë e vërteta hyjnore”. “Duke e përdorur në mënyrë të gabuar lirinë, njeriu e përmbys rendin e kozmosit”: këtë tha mes tjerash Papa Ratzinger në sa kujtonte mësimet e Efremit mbi temën e Hyjit krijues, ndërmjet të cilave, edhe mësimi i përfaqësuesit më simbolik të krishterimit në gjuhën siriake, poetit më të përmendur të të gjithë epokës patristike: “Në krijim, asgjë nuk është e izoluar e bota, përkrah Shkrimit Shenjt, është Bibla e Hyjit”.

Në veprën e tij përdori me sukses të madh sidomos simbolin - besojmën, në sa këndonte teologjinë në një poezi tepër të pasur me figura letrare të marra nga natyra, nga jeta e përditshme e nga Bibla – shpjegoi Papa Benedikti XVI – duke nënvizuar vlerën katekistike të kësaj vepre e duke pohuar se është plotësisht aktuale për jetën e kishave të ndryshme të krishtera.

Benedikti XVI nënvizoi se në veprën e Efremit pasqyrohet edhe roli i gruas, për të cilën flet gjithnjë me delikatesë e respekt. Duke shkruar se ‘Banesa e Jezusit ishte kraharori i një gruaje’ – shtoi Papa Ratzinger – Efremi e lartoi jashtëzakonisht dinjitetin e gruas. Ati i Shenjtë Benedikti XVI kujtoi, më pas, edhe figurat kryesore që përdori teologu-poet, në sa i këndonte Eukaristisë: janë prushi e perla. 








All the contents on this site are copyrighted ©.