Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 8 qershor kalendari kishtar kujton Shën Medardin, ipeshkëv

Jezusi - RV

08/06/2017 09:23

Më 8 qershor kalendari kishtar përkujton Shën Medardin, ipeshkëv. Medardi lindi në Vermandois të Francës, në një datë të panjohur, vdiq rreth vitit 560 në Saint-Quetin, po në Francë. I ati qe një nga frankët që pushtuan Galinë nën udhëheqjen e mbretit Klodoveu. E ama ishte nga një familje galo-romake. Familja e shenjtit i përkiste klasës fisnike të popullit të pushtuar.

Vetë Medardi ishte një nga përfaqësuesit e breznisë së parë “franceze”, që lindi nga përzierja e dy fiseve. Si kreu studimet në Viromandensium (Saint-Quetin-i i sotëm) u shugurua meshtar e u bë menjëherë i njohur, sepse nisi të bënte mrekulli. Një ditë ai, ndërsa ishte duke iu lutur Hyjit, dëgjoi një kambanë që binte papushim për të lajmëruar vjedhjen e një lope. E luti të heshtë e kambana pushoi menjëherë. Më pas shpërndau një luzmë bletësh, që ishin ngritur të tërbuara nga zgjoi e kishin sulmuar një njeri që donte të vidhte zgjoin me gjithë mjaltë. Po i bënte favor hajdutëve e gjëja që të çudit më shumë, është se ishin duke e vjedhur atë vetë: ishte e tija lopa, e i tiji ishte edhe zgjoi i bletëve. Më pas do të ndihmonte të ikte nga vreshta e tij një hajdut tjetër, që po i vidhte rrush.

Rrëfime naive këto, ndoshta thjeshtë legjenda popullore, por gjithsesi shërbejnë për të vënë në dukje bujarinë e jashtëzakonshme të këtij priftit të thjeshtë. Në romanin “Të mjerët” shkruar nga Viktor Hugo, njihemi me figurën e ipeshkvit Benvenuto Myriel di Digne, i cili jo vetëm i falë atij që e kishte vjedhur, argjendarinë e tryezës, por i dhuron edhe dy shandana të çmuar, që nuk kishte arritur t’i vidhte. Besojmë se Hugoi e krijoi këtë personazh kaq prekës e bindës, duke u frymëzuar pikërisht nga bujaria e jashtëzakonshme e Medardit, për të cilin populli kishte thurur shumë rrëfime të thjeshta, që kalonin gojë më gojë, duke u bërë pronë e gjithë popullit.

Rreth vitit 545 ishte ipeshkëv në Saint-Quetin, në trojet mbi të cilat mbretëronte Klotari I, njëri nga të katër bijtë e Klodoveut të cilët, pas vdekjes së babait, e ndanë perandorinë në katër pjesë, Më pas, si i vdiqën vëllezërit, Klotari mbretëroi i vetëm mbi frankët.

Një ditë në kryeipeshkvinë e Medardit në Saint-Quetin arriti një grua e dëshpëruar. Ishte Radegonda, e bija e mbretit të Turingisë, që kishte ardhur në oborrin e Klotarit I si “plaçkë lufte” e më pas ishte bërë gruaja e tij: grua e pafat, e tradhtuar dhe e fyer vazhdimisht nga i shoqi, i cili kishte arritur deri atje, sa të vriste njërin nga vëllezërit e vet. Gruaja nuk mundi ta duronte më as mbretin e as oborrin e tij. I lindi dëshira të ikte, të bëhej murgeshë. Trokiti tek porta e ipeshkvit. Medardi e mirëpriti, e bëri diakoneshë dhe i hapi rrugën drejt një jete të re. Radegonda themeloi një kuvend dhe një spital në Poitiers. E kjo është edhe ngjarja më e rëndësishme që shënohet në kronikat e ipeshkvisë së Medardit, që zgjati pesëmbëdhjetë vjet.

Kur vdiq shenjti, mbreti Klotar, i penduar për të këqijat që kishte bërë, urdhëroi që të mbartej trupi i shenjtit në Soisson, asokohe kryeqytet i mbretërisë. Këtu e varrosi në një varr, mbi të cilin ngriti Kishën dhe abacinë e Shën Medardit. E aty u varros edhe vetë mbreti, vdekur në vitin 651. Kulti për ipeshkvin shenjt filloi shumë shpejt. Populli vijoi t’ia përhapte famën, derisa emri i tij u shkrua në Martirologun Jeronimian e pastaj edhe në atë Romak.
Shën Medardi, emër që vjen nga gjermanishtja e do të thotë “i nderuar”, është pajtor qiellor i të sëmurëve nga dhimbjet e dhëmbëve. Simboli i tij është shkopi baritor.

08/06/2017 09:23