2017-06-08 11:10:00

Kardinali Turkson përuron në Astana “Expo 2017-Ardhmëria e energjisë”


Arriti sot, në Astana të Kazakistanit, kardinali Peter K. A. Turkson, Prefekt i Dikasterit per Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, me cilësinë e Komisarit të Selisë Shenjte, për përurimin e “Expo 2017-Ardhmëria e energjisë”.

Selia e Shenjtë, që merr pjesë në Ekspozita universale që nga viti 1851, do të jetë e pranishme me pavijonin e saj, titulluar “Energji për të mirën e përgjithshme.Të kujdesemi për shtëpinë e përbashkët”- realizuar me kontributin e Kishës vendase. Pavijoni thellon temën e energjisë, parë si mundësi për zhvillimin e njeriut dhe përmirësimin e “Shtëpisë së përbashkët”, mbi bazën e përdorimit të drejtë dhe të qëndrueshëm të burimeve natyrore,

Struktura ekspozitive e Selisë së Shenjtë - e pajisur me instalime të karakterit dixhital, që i shoqërojnë vizitorët përmes materialeve fotografike, artistike, kulturore e shpirtërore - zhvillon katër tematika: “Dashuria e Zotit, si zanafillë e krijimit të njeriut e të tokës; energjia, si mjet i vënë në dorën e njeriut, që jo gjithnjë e përdor si duhet; energjia  në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm të njeriut dhe të kujdesit për shtëpinë e përbashkët; forca e përshpirtërisë, duke kujtuar në mënyrë të veçantë, rolin e lutjes, në kërkim të kuptimit të jetës e të dialogut ndërfetar.

Expo 2017 do të përurohet nesër, 9 qershor, ndërsa pavijoni i Selisë së Shenjtë, një ditë më pas. 








All the contents on this site are copyrighted ©.