2017-06-07 11:29:00

Papa: revolucioni i vërtetë i krishterimit, është ta thërresësh Zotin me emrin e Atit


Në audiencën e sotme të përgjithshme, duke vijuar katekizmin përqendruar tek shpresa e krishterë, Papa u ndalua posaçërisht tek “Atësia e Zotit, burim i shpresës sonë”, duke theksuar se revolucioni i vërtetë i krishterimit  është ta thërresësh Zotin me emrin “Atë”.

Më poshtë, katekizmi i plotë i Papës:

“Kishte diçka mahnitëse, në lutjen e Jezusit, aq mahnitëse, sa një ditë dishepujt i kërkuan ta shoqëronin. Episodi gjindet në Ungjillin e Lukës që, ndërmjet Ungjilltarëve, e dokumenton më shumë misterin e Krishtit ‘në lutje’”. Dishepujt e Jezusit i prekte thellë fakti se Ai, posaçërisht në ag e në muzg, tërhiqej në vetmi e “përhumbej” në lutje. Prandaj një ditë i kërkuan t’i mësonte edhe ata të luten (krh Lk 11,1).

E pikërisht atëherë Jezusi u mëson atë, që njihet si lutja e mirëfilltë e krishterë: “Atynën”. Në të vërtetë Luka, në krahasim me Mateun, na e jep në një formë më të shkurtër lutjen e Jezusit, e cila nis me thirrjen e thjeshtë: “Atë” (v2).

I gjithë misteri i lutjes së krishterë përmblidhet këtu, në këtë fjalë: të kesh guximin ta thërrasësh Zotin me emrin Atë. E pohon edhe liturgjia kur, duke na ftuar ta themi bashkërisht lutjen e Jezusit, përdor shprehjen: “Marrim guximin të themi”.

Në të vërtetë, kjo thirrje e Zotit me emrin “Atë”, nuk na e mbush shumë mendjen. Dëshirojmë të përdorim tituj më të lartë, që na duket se e respektojnë më shumë transhendencën e Tij. Ndërsa, kur i lutemi si “Atit”, krijojmë marrëdhënie mirëbesimi me Të, ndjehemi si fëmija, që i drejtohet atit, duke e ditur se do ta dojë e do ta përkujdesë. Ky është revolucioni i madh, që krishterimi e ngulit në psikologjinë fetare të njeriut. Është misteri i Zotit, që vijon të na mahnitë gjithnjë e të na bëjë ta ndjejmë veten të vegjël, por nuk na tremb më, nuk na ndrydh, nuk na mbush me ankth. Revolucion i vështirë për t’u pranuar në shpirtin tonë njerëzor! Aq është e vërtetë, sa deri në rrëfimet kushtuar Ngjalljes së Krishtit thuhet se gratë, pasi e panë varrin bosh dhe engjëllin “ikën me vrap”, sepse u pushtuan nga frika e nga mahnitja (Mk 16,8). Po Jezusi na tregon se Hyji Atë është i mirë e na thotë edhe “Mos kini frikë!”.

Të mendojmë për shëmbëlltyrën e Atit të mëshirshëm (krh Lk 15,11-32). Jezusi flet për një atë, që di të jetë vetëm dashuri për bijtë e vet. Atë, që nuk e dënon të birin për arrogancën e tij, që ia jep menjëherë pjesën e trashëgimit dhe e lë të ikë lirisht nga shtëpia. Zoti është Atë, na kujton Jezusi, por jo në mënyrë njerëzore, sepse nuk ka asnjë atë në këtë botë, që do të mund të sillej si protagonisti i kësaj shëmbëlltyre. Zoti është atë në mënyrën e vet: i mirë, i pambrojtur përballë vullnetit të lirë të njeriut, i aftë vetëm për ta zgjedhuar foljen “me dashtë”. Kur djali rebel, pasi e shkapëderdh gjithçka, rikthehet më në fund në shtëpinë atërore, i ati nuk zbaton kriteret e drejtësisë njerëzore por, mbi të gjitha, ndjen nevojën ta falë e, me përqafimin e tij, e bën  të birin të kuptojë se i kishte munguar shumë e dhimbshëm dashurisë së tij prej ati gjatë gjithë kohës kur ishte larg strehës atërore.

Ç’mister i pashqyrtueshëm është një Zot, që ushqen këtë tip dashurie ndaj të bijve.

Ndoshta pikërisht për këtë arsye, duke kujtuar zemrën e misterit të krishterë, Shën Palit Apostull nuk vendos ta përkthejë në greqisht një fjalë, që Jezusi, në aramajkshe, e shqiptonte “abba”. Dy herë rresht Shën Pali, në letërkëmbimin e tij (krh Rom 8,15; Gal 4,6) e prek këtë temë, e dy herë rresht e lë këtë fjalë ashtu si pati dalë nga buzët e Jezusit “abba”, term shumë më intim, në krahasim me fjalën “atë”, të cilën dikush e përkthen baba e dikush tatë.  

Të dashur vëllezër e motra, nuk jemi kurrë vetëm. Mund të jemi të largët, kundërshtarë, mund ta shpallim haptas edhe se jemi “të pa zot”. Po Ungjilli i Jezu Krishtit na kujton se Zoti nuk mund të rrijë pa ne: Ai nuk do të jetë kurrë Zot “pa njeriun”. Kjo siguri është burim i shpresës sonë,  që e gjejmë të ruajtur në të gjitha lutjet drejtuar Atit tonë. Kur kemi nevojë për ndihmë, Jezusi nuk na fton të dorëzohemi e të mbyllemi në vetvete, por t’i drejtohemi Atit e t’ia kërkojmë Atij, me besim të plotë. Të gjitha nevojat tona, që nga ato më të ngutshmet e më të përditshmet, si buka, gjella shëndeti, puna e deri te dëshira për t’u falur e për të gjetur ndihmë në çaste tundimesh, nuk pasqyrojnë vetminë tonë: pranë nesh është Ati, që na  shikon gjithnjë me dashuri e që sigurisht nuk na braktisë kurrë!








All the contents on this site are copyrighted ©.