Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 7 qershor kalendari kishtar kujton Shën Antonio Maria Gjanelli-n, ipeshkëv

Hyji Ate - RV

07/06/2017 12:16

Më 7 qershor kalendari Kishtar përkujton Shën Antonio Maria Gjanelli-n, ipeshkëv. Antonio Ganelli lindi në vitin kur filloi Revolucioni Frëng, më 12 prill 1789, afër Chiavarit të Italisë. Qe edhe ai revolucionar, por në mënyrën e vet. Zgjodhi shpejt rrugën e meshtarisë, e pasi u shugurua meshtar,  filloi të jepte mësimin e letërsisë e të retorikës. Nga viti 1826 deri më 1838 qe kryeprift në Chiavari, ku shërbeu si famullitar e zhvilloi një veprimtari shumë më të gjerë, që i kapërceu kufijtë e famullisë së tij kishtare, që ishte ndër më të mëdhatë e zonës.

Gjatë misionit të tij si famullitar u gjallërua shumë veprimtaria baritore dhe u krijuan disa institucione, ndërmjet të cilave edhe një seminar e një Shoqatë ekonomike, nën drejtimin e zonjave të bamirësisë, për shkollimin falas të vajzave të varfëra. Ishte hapi i parë, që çoi në themelimin e Bijave të Marisë, të cilat njihen edhe sot me emrin Motrat Gianelline. Instituti u përhap me shpejtësi, sidomos në Amerikën Latine.

Më vonë hodhi edhe bazat e një Kongregacioni mashkullor, të cilin e vuri nën mbrojtjen e Shën Alfons de Liguorit. Mblodhi kështu meshtarë të rinj për misionet popullore e për t’u shërbyer Kishave famullitare që kishin nevojë e probleme.

Për veprimtarinë e tij të zellshme, qe emëruar ipeshkëv i Bobios më 1838, që e shtyu t’i kushtonte me hove të ri veprimtarive ungjillëzuese. Riorganizoi Kongregatën e Oblatëve të Shën Alfonsit de Liguori, rigjallëroi jetën e veprimtarinë baritore të famullive kishtare dhe riorganizoi klerin, duke i shkarkuar nga detyra famullitarët e pazellshëm e duke i dëbuar fare ata që ishin të padenjë për shërbim kishtar. Kështu, si ipeshkëv ia kushtua apostullimit dhe reformës së klerit, që ishte nën ndikimin e iluminizmit.

Vdiq më 7 qershor 1846 në moshën 57 vjeçare, pas një jete të vrullshme, jetuar me mendje e zemër prej misionari. La pas vepra të shquara të bamirësisë në fushën fetare e shoqërore.  U shpall shenjt më 21 tetor 1951 nga Papa Piu XII.

07/06/2017 12:16