2017-06-07 14:44:00

Kisha e Tiranë-Durrësit: Të Drejtat e njeriut dhe Mbrojtja nga trafikimi i mundshëm


Kisha dioqezane e Tiranë-Durrësit, përmes Karitasit, në periferitë e realitetit shoqëror të kryeqytetit të Shqipërisë, pranë personave dhe familjeve që përballen me problematika sociale si diskriminimi, dhuna në familje, vështirësitë ekonomike, papunësia, fëmijët e mënjanuar nga shoqëria e tjera.

Në faqen e internetit të Karitasit dioqezan të Tiranë-Durrësit, lexojmë se Sektori i Antitrafikimit pranë Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës me datë 30 Maj 2017 bëri një vizitë në një nga zonat më të varfra të Tiranës, atë të Kombinatit.

Në pamundësi të një ambienti të caktuar për të realizuar takimin dhe prezantimin, familja e znj. Ëngjëllushe Brroli, hapi dyert e shtëpisë së saj për të mundësuar realizimin e takimit. Vlen të përmendet – pohon Karitasi dioqezan Tiranë-Durrës - se kjo shtëpi ndodhet në podrumet e një prej pallateve të vjetra të asaj zone dhe kapaciteti normal i banimit nuk arrin as tre persona, në fakt, të pranishëm ishim më shumë se 20 persona. Të pranishmit vinin nga komuniteti Rom dhe Egjiptian.

Familjet pjesëmarrëse në këtë takim, sipas Karitasit të Tiranës, kishin pothuajse të njëjtat problematika sociale duke filluar nga diskriminimi që e ndjenin edhe fëmijët e tyre në institucionet arsimore, divorci, dhuna në familje, probleme të tjera ekonomike si papunësia – të ardhurat e paktat mujore, asistenca sociale e ndërprerë, mos punësimi për shkak të paragjykimeve, etj.

Disa prej të pranishmëve ishin gra kryefamiljare si shkak i divorcit nga bashkëshortët e tyre, por fatkeqësisht, pjesa tjetër e tyre jetojnë akoma nën presionin e dhunës së vazhdueshme – siç shprehen ata.  

Në pjesën e dytë të ditës, Sektori i Antitrafikimit pranë Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës, realizoi një tjetër takim pranë konviktit të vajzave “Chiara Luce” të kongregatës “Shërbëtorët e Hyjit dhe Virgjërës Matara” në Tiranë. Në fillim koordinatorja e projektit zhvilloi një bisede paraprake me motrën eprore, njëkohësisht drejtoreshën e konviktit motër Letnica.

Qëllimi i takimit me motrat rregulltare dhe vajzat rezidenciale të konviktit ishte prezantimi i Projektit mbi të Drejtat e njeriut dhe Mbrojtja nga trafikimi. Motër Letnica – tregon se janë gjendur mirë në këtë zonë (Dom Bosko) edhe pse tipike me probleme sociale si: përdorimi i lëndëve narkotike nga grupe rinore, zhurmat e lokaleve dhe bareve gjatë 24 orëve, prostitucioni dhe trafikimi i njerëzve në fakt jo të shfaqura publikisht, por të dëgjuara nga rastet të ndryshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.