2017-06-06 16:22:00

Vatikan: Asamble Plenare, mbi rolin e gruas në vëllazërimin universal


Do të përqendrohet tek “Roli i gruas në edukimin  e vëllazërimit universal Asambleja Plenare e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, që do të zhvillojë punimet më 7 deri më 9 qershor e në përfundim të së cilës pjesëmarrësit do të priten në audiencë nga Papa Françesku. Njoftimin e jep një notë e dikasterit, kryesuar nga kardinali Jean-Louis Tauran, duke saktësuar se tema do të trajtohet në këndvështrimin e përgjithshëm, me katër reflektime. Nurie Calduch-Benages, bibliste pranë Universitetit Papnor Gregorian, do të trajtojë temën: “Gruaja edukon me ndjenjën e vëllazërisë: reflektim bibliko-sapiencial”; motër Raffaella Petrini, pedagoge e Doktrinës shoqërore të Kishës në Angelicum, temën: “Cilësitë femërore kundër Paradigmës Teknokratike: perspektiva shoqërore dhe kontributi femëror për vëllazërimin”; Marie Derain, Mbrojtëse e të drejtave të të miturve në Paris, temën “Të ndërtohet paqja. Roli i femrës”  dhe  Clare Amos, anëtare e Këshillit Botëror të Kishave: “Roli i gruas në edukimin drejt vëllazërisë universale”.

Parashikohen çaste reflektimi lidhur me temën kryesore dhe shkëmbim informacionesh mbi dialogun ndërfetar, falë kontributeve të anëtarëve. Imzot Miguel Angel Ayuso Guixot, sekretar i Dikasterit, do t’i flasë pjesëmarrësve për veprimtarinë e Këshillit gjatë viteve të fundit.

 Asambleja Plenare, shpjegon nota, "do të shfrytëzojë rastin për të reflektuar mbi gjendjen e dialogut ndërfetar në vise të ndryshme të botës e për t’u thelluar në impenjimin e bashkësisë së krishterë për promovimin e rolit të gruas në edukimin e vëllazërimit si dhe për ndërtimin  e marrëdhënieve më të mira me anëtarët e feve të tjera”.








All the contents on this site are copyrighted ©.