2017-06-06 12:27:00

Papa Françesku: hipokrizia e vret bashkësinë, gjuha e krishterë të jetë gjuha e së vërtetës.


“Hipokrizia nuk është gjuha e Jezusit”, e nuk duhet të jetë as e të krishterëve, meqë “hipokriti është i aftë të vrasë një bashkësi të tërë”. Ky, pohimi i sotëm i Papës gjatë homelisë të Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa  kujtoi se, duke ndjekur shembullin e Jezusit, gjuha e të krishterëve duhet të jetë e vërtetë, e vetë i krishteri, të ruhet fort nga hipokrizia dhe nga lajkat.

“Hipokritët! Françesku e vuri theksin, gjatë homelisë së mbajtur në Shën Martë, mbi këtë  fjalë, të cilën Jezusi e përdor shumë herë, për të cilësuar me të doktorët e ligjit. Janë hipokritë - vërejti - sepse thonë një gjë e mendojnë një tjetër, siç e tregon vetë etimologjia e kësaj fjale”.

Hipokrizia nuk është gjuha e Jezusit, as e të krishterëve

Këta doktorë të ligjit flasin e gjykojnë, duke menduar ndryshe. E kjo është hipokrizia: “E hipokrizia nuk është gjuha e Jezusit. Hipokrizia nuk është as gjuha e të krishterëve. I krishteri nuk mund të jetë hipokrit e hipokriti, i krishterë.  Kjo është krejtësisht e qartë. E ky, epiteti që Jezusi përdor më shumë për këta njerëz: hipokritë!”.

Të shikojmë si sillen këta njerëz: “Hipokriti është gjithnjë lajkatar, herë me ton maxhor e herë minor. Po gjithnjë miklues”.

Ata, në të vërtertë, duan ta miklojnë Jezusin. Po Ai i quan hipokritë, sepse gjithnjë ia nisin bisedës me lajka. Kur miklon - vijoi Françesku - nuk thua të vërtetën, e tepron, nxit kotësinë. Kujtoi, më pas, rastin e një prifti, të njohur shumë kohë më parë, të cilit i pëlqenin sa më s’ka të gjitha lajkat që i bënin, ishte ligështia e tij.

Po Jezusi na bën ta shikojmë realitetin, që është në kundërshtim me hipokrizinë e me ideologjinë.

Lajkatimi - vijoi akoma Françesku - nis me ndjet të keq. Është pikërisht rasti i doktorëve të ligjit, të cilët përmenden në fragmentin e Ungjillit të sotëm e që e vënë në provë Jezusin, duke ia nisur me miklime e duke i drejtuar, më pas, një pyetje, për ta bërë të bjerë në gabim: “A është e drejtë ta paguash Cezarin apo nuk është?”:

“Hipokrizia është gjithnjë me dy fytyra. Por Jezusi, duke e njohur fare mirë hipokrizinë e tyre, u thotë qartë: ‘Pse doni të më vini në provë? Më sillni një denar, dua ta shikoj’.   Hipokritëve dhe ideologjikëve Jezusi u flet gjithnjë me gjuhën e së vërtetës. E vërteta është kështu, gjithçka tjetër është hipokrizi ose ideologji. Po, realiteti është ky: më sillni një denar. E i bën ta shikojnë sesi është realiteti, u përgjigjet me urtinë e Zotit:  “Jepini, pra ‑ u tha – Cezarit, çka i përket Cezarit - realiteti ishte se denari kishte fytyrën e Cesarit -  kurse Hyjit jepini çka i përket Hyjit!”. Kështu nuk mundën ta zënë në fjalë para popullit, por, të habitur prej përgjigjes së tij, heshtën.

Aspekti i tretë - shtoi Papa - është se gjuha e hipokritit është gjuha e mashtrimit, e njëjta gjuhë me të cilën i foli gjarpri Evës, e njëjta! Ia nis me lajka, për ta rrënuar pastaj krejtësisht njeriun, ia zhduk personalitetin e ia shëmton shpirtin njeriut. Vret bashkësinë. Kur ka hipokritë në bashkësi - qortoi  -  është rrezik i madh  aty, rrezik tepër i shëmtuar. Zoti Jezus na kujton: “Fjala juaj le të jetë: ‘Po, po; jo, jo!’. Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut.”

Hipokrizia e vret bashkësinë, i bën shumë keq Kishës

“Sa keq i bën Kishës hipokrizia!” - tha me hidhërim Papa - e i porositi të kenë mendjen ata të krishterë, të cilët bien në këtë kurth mëkatar, që vret.

Hipokrizia është e aftë të vrasë një bashkësi të tërë

"Si kur flet ëmbëlsisht, ashtu edhe kur gjykon ashpërsisht një njeri, hipokriti është vrasës. Ta kujtojmë këtë: ia nis me lajka. Vijon me gjuhën e vetë djallit, që i mbjell këto fjalë në bashkësitë, për t’i shkatërruar. T’i lutemi Zotit të na ruajë nga vesi i hipokrizisë, nga prirja për t’i trukuar sjelljet tona, me ndjete të këqija. Zoti na e dhashtë këtë hir. Bëj, o Zot, të mos jem kurrë hipokrit, të di ta them të vërtetën e, nëse nuk mund ta them, ma jep hirin ta mbyll gojën, që kurrë – kurrë, të mos jem hipokrit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.