Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa: të bësh vepra mëshire do të thotë të ndash, të vuash, të rrezikosh me e për tjetrin

Papa kremton Meshën në Shën Martë

05/06/2017 13:30

Veprat e mëshirës nuk janë thjesht lëmoshë e bërë për të shkarkuar ndërgjegjen, por pjesëmarrje në vuajtjen e të tjerëve, edhe duke u rrezikuar  e duke i prishur punë vetes. Kështu u shpreh Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në ditën kur Kisha kujton Shën Bonifacin martir, apostull i Gjermanisë.

Shtytjen për homelinë e sotme Papa e mori nga Leximi I, shkëputur nga Libri i Tobisë. Hebrenjtë ishin të internuar në Asiri: një njeri i drejtë, me emrin Tobi, i ndihmonte bashkatdhetarët e varfër e - duke rrezikuar jetën e  vet - i varroste fshehurazi hebrenjtë që vriteshin, pa u ndëshkuar askush për jetët e tyre të humbura. Tobinë e trishtonte fort vuajtja e të tjerëve. Prej këndej, reflektimi i Papës për 14 veprat e mëshirës trupore e shpirtërore. T’i kryesh - shpjegoi Françesku -  nuk do të thotë vetëm të ndash me tjetrin pasjen, por edhe vuajtjen:

“Domethënë të vuash me atë, që vuan. Vepër mëshire nuk do të thotë të bësh diçka, sa për të shkarkuar ndërgjegjen: ta bëj një vepër të mirë, e kështu do të jem më i qetë, do ta shkarkoj peshën që kam në shpirt… Jo! Vepër mëshire, domethënë edhe ta ndjesh dhimbjen e tjetrit. Të ndash, do të thotë të vuash me tjetrin: janë dy gjëra, që shkojnë krah për krah”.
Është i mëshirshëm ai, që di t’i ndajë e edhe t’i vuajë problemet e njerëzve të tjerë. E prej këndej, edhe pyetja: “A di të ndaj të mirën e të keqen me tjetrin? A jam bujar? A jam bujare? A vuaj edhe unë, kur shikoj tjetrin që vuan? A di të hy në lëkurën e tjetrit? Të mbath këpucën e ngushtë të tjetrit? Në situata vuajtjeje?”.

Hebrenjtë e internuar në Asiri e kishin të ndaluar t’i varrosnin bashkatdhetarët: po ta bënin këtë, mund të vriteshin edhe ata vetë. Kështu Tobi vinte në rrezik jetën e vet. Të bësh vepra mëshire -  pohoi Papa - do të thotë  jo vetëm të ndash e të vuash me e për tjetrin, por edhe të rrezikosh:

“Shumë herë vihet vetë jeta në rrezik. Të mendojmë vetëm për Romën. Në kulmin e luftës, sa e sa vetë e vunë jetën në rrezik, duke nisur nga Piu XII, për t’i fshehur hebrenjtë, që të mos vriteshin, të mos internoheshin! Vunë në rrezik lëkurën e vet, për atë të tjetrit. Por ishte vepër mëshire të shpëtoje  jetën e këtyre njerëzve. Të rrezikoje!”.

Papa Françesku nënvizoi edhe dy aspekte. Kush kryen vepra mëshire, mund edhe të tallet nga të tjerët - siç i ndodhi Tobisë - sepse shikohej si njeri që bënte marrëzira, në vend që të rrinte rehat-rehat në punë të vet. Njeri, që rrezikohej marrëzisht, për tjerët:

“Por të bësh vepra mëshire, do të thotë ta prishës rehatin. ‘Po unë kam një mik të sëmurë, do të desha ta vizitoja, por nuk më pëlqen të lodhem, më mirë të shikoj ndonjë gjë në TV… qetë-qetë. Të bësh vepra mëshire do të thotë ta prishësh rehatin tënd, gjithmonë! Të bezdisesh”.

Por, nuk duhet të harrojmë se Zoti e prishi rehatin e vet për ne deri në kryq. Për të na dhënë mëshirën:

“Kush është i aftë të bëjë një vepër mëshire - nënvizoi Papa - është ngaqë e di se edhe ai vetë u mëshirua përpara, se ishte vetë Zoti ai, që ia dha mëshirën. E nëse i bëjmë këto gjëra, është sepse Zoti pati mëshirë për ne. E mendojmë për mëkatet tona, për gabimet tona  e për mënyrën sesi Zoti na fali: na fali gjithçka, e pati këtë mëshirë, e edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë për vëllezërit. Veprat e mëshirës - përfundoi Papa - janë ato, që të shkëpusin nga egoizmi e të bëjnë ta ndjekësh Krishtin më për së afërmi”.

05/06/2017 13:30