2017-06-04 15:40:00

Françesku: Kisha lind nga falja, si unitet në larmi


Shpirti Shenjt është dhurata e parë e Jezusit të ngjallur e na jepet për t’i falur mëkatet: falja është dhurata më e madhe, që na mban të bashkuar, pavarësisht nga të gjitha. Kështu, thënë përmbledhtas, u shpreh Papa gjatë homelisë, shqiptuar në Sheshin e Shën Pjetrit, ku kryesoi Meshën, në Solemnitetin e Rrëshajëve. Më se 60 mijë, besimtarët e shtegtarët e pranishëm në rit, gjallëruar nga këngët e Korit dhe të Orkestrës të të rinjve të Carpi-t.

Sheshi i Shën Pjetrit ishte përplot me besimtarë. Posaçërisht binin në sy grupet e Përtëritjes karizmatike katolike, që festuan këto ditë 50-vjetorin e lindjes, së bashku me përfaqësues të konfesioneve të tjera të krishtera, të pranishëm në Mbrëmësoren e Rrëshajëve, në Cirkun Massimo. Gjatë homelisë, Papa Françesku kujtoi se Shpirti Shenjt bën pikërisht këtë: krijon larmi e unitet, formon një popull të larmë e të bashkuar: Kishën universale. Fillimisht, me fantazi e në mënyrë krejt të paparashikueshme, krijon larmi; në çdo epokë bën të lulëzojnë karizma të reja e të ndryshme. Pastaj vetë Shpirti Shenjt realizon unitetin: lidh, mbledh, rikrijon harmoninë. Uniteti i vërtetë, ai sipas Zotit - pohoi Papa - nuk është uniformitet, por unitet në larmi. Ftesa është të shmangen dy tundime të herëpashershme. I pari është kërkimi i larmisë, pa unitet:

“Kjo ndodh kur njerëzit duan të dallohen, kur formojnë grupime e parti, kur mbajnë qëndrime të ngurta përjashtuese, kur mbyllen në sektarizmat e veta, edhe nëse u duken më të mirat ose që kanë gjithnjë arsye”.

Këta janë të ashtuquajturit rojtarë të së vërtetës. Atëherë nisin të zgjedhin pjesën, jo të tërën, duke menduar të radhiten me këtë apo atë pjesë, para Kishës; bëhen ‘tifozë’ të njërës palë, në vend që të jenë vëllezër e motra në të njëjtin Shpirt; bëhen të krishterë “të së djathtës a të së majtës”, para se të Jezusit; rojtarë të palakueshëm të së kaluarës ose avanguardistë të ardhmërisë, para se bij të përvuajtur e mirënjohës të Kishës.

Tundimi tjetër, është kërkimi i unitetit, pa larmi:

“Por në këtë mënyrë, uniteti shndërrohet në uniformitet, detyrim për ta bërë gjithçka së bashku e gjithçka njëlloj, për të menduar të gjithë e gjithnjë në të njëjtën mënyrë. Kështu uniteti bëhet homologim e nuk ka më kurrfarë lirie. Por Shën Pali na kujton se ‘Atje ku është shpirti i Zotit, është edhe liria’”(2 Kor 3,17).

Françesku fton t’i kërkohet Shpirtit Shenjt hiri për ta ‘pranuar unitetin e Tij, shikimin, që rrok e do përtej parapëlqimeve personale, Kishën e Tij, Kishën tonë’; për të marrë mbi vete detyrën e unitetit ndërmjet të gjithëve, për t’i dhënë fund thashethemeve, që mbjellin grindjen dhe zilive, që helmatisin, sepse të jesh burrë a grua e Kishës, do të thotë të jesh burrë a grua e bashkimit, e për të kërkuar edhe një zemër, që e shikon Kishën si nënën e vet e si shtëpinë e vet mikpritëse e të hapur, ku ndahet bashkërisht gëzimi shumëformësh i Shpirtit Shenjt:

“Shpirti Shenjt, pra, bën, nga dishepujt, një popull të ri, e pastaj krijon në dishepujt një zemër të re: Krishti i Ngjallur, kur iu duk për herë të parë të vetëve, u tha:”Merreni Shpirtin Shenjt. Atyre të cilëve do t’ua falni mëkatet, do t’u falen (Gjn 20, 22-23)”.

Jezusi nuk i dënon të tijtë, që e patën braktisur dhe e patën mohuar gjatë Mundimeve, por u jep atyre Shpirtin e faljes:   

“Shpirti Shenjt është dhurata e parë e të Ngjallurit e jepet posaçërisht  për faljen e mëkateve. Ja, pra, fillesa e Kishës, ja ngjitësi, që na mban bashkë, çimentoja, që i bashkon tullat e shtëpisë: falja! Sepse falja është dhuratë e së njëjtës fuqi, është dashuria më e madhe, që na mban të bashkuar, pavarësisht nga gjithçka, që nuk e lejon shembjen, që forcon e çelnikos: falja e çliron zemrën dhe i krijon mundësinë të rifillojë: falja jep shpresë, pa falje nuk mund të ndërtohet Kisha”.

Shpirti i faljes - shpjegoi Papa - na nxit t’i refuzojmë udhët e tjera: udhët e nxituara të atij, që gjykon; udhët pa dalje, të atij që e mbyll çdo portë; ato  të njëanshmet, të atij që kritikon të tjerët. Shpirti Shenjt na nxit të përshkojmë udhën e dykuptimtë të faljes: të falim e falemi; udhën e mëshirës hyjnore, që bëhet dashuri për të afërmin, udhën e dashurisë së krishterë, parë si kriteri i vetëm sipas të cilit duhet bërë a nuk duhet bërë, duhet ndryshuar a nuk duhet ndryshuar gjithçka (Isacco della Stella, Fjalimi 31):

“Të kërkojmë hirin për ta bërë gjithnjë më të bukur fytyrën e Shenjtes Kishë Amë, duke u përtërirë me faljen e duke e korrigjuar vetveten: vetëm atëherë mund t’i korrigjojmë edhe të tjerët në dashurinë e krishterë”.

Në  përfundim Papa  lartoi këtë lutje:

“O Shpirti i Zotit, Zot që je në zemrën time e në zemrën e Kishës, ti që e çon përpara Kishën, duke i dhënë trajtë në larmi, eja! Për të jetuar, kemi nevojë për Ty, ashtu si për ujin; zbrit përsëri mbi ne e na e mëso unitetin, përtëriji zemrat tona e na mëso të duam, si do Ti; të falim, si na fal ti. Amen”.

Papa falënderoi, në fund, korin dhe orkestrën e të rinjve të Carpi-t, që e gjallëruan Meshën me këngë, së bashku me Kapelën Sikstine.








All the contents on this site are copyrighted ©.