2017-06-03 14:32:00

Mbrëmësorja e Rrëshajëve: Papa ugjillorëve: të ecim së bashku për unitetin


Sonte, në orën 18.00, Papa Françesku do të kryesojë Mbrëmësoren e lutjes së Rrëshajëve, me rastin e “Jubileut të Artë” të Përtëritjes Karizmatike katolike, në 50-vjetorin e lindjes. Do të marrin pjesë karizmatikë nga mbarë bota, e, me dëshirën e Papës, do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të botës ungjillore e pentekostale. E pikërisht sot paradite Françesku priti një grup liderësh ungjillorë, ardhur në Romë për të marrë pjesë në Mbrëmësoren e Rrëshajëve.

“Të punojmë për unitetin e të krishterëve, ta lëmë të na prijë Shpirtin Shenjt, që krijon harmoni, atje ku ka përçarje”. Natën e Rrëshajëve, vetëm pak orë para Mbrëmësores në Cirkun Massimo, Françesku u takua me një grup liderësh ungjillorë, duke nënvizuar kështu, me forcë, vulën ekumenike të ngjarjes së sontme. Papa u drejtoi një përshëndetje të shkurtër, duke i falënderuar, sidomos, për dëshriën e ecjes së bashku:

“Faleminderit për këtë që bëni, për punën në dobi të unitetit të të krishterëve, për të qenë të gjithë bashkë, ashtu siç dëshiron vetë Zoti. Të ecim bashkë, t’i ndihmojmë të varfrit bashkë, të bëjmë mirë bashkë, të edukojmë bashkë: të gjithë bashkë. Edhe teologët punojnë, nga ana e tyre, e na ndihmojnë, por ne, gjithnjë përudhë, kurrë të ndalur, kurrë të amullt; e bashkë”.

Sonte, pra, do të kremtohet Mbrëmësorja e Rrëshajëve, kremtim në të cilin do të marrin pjesë mijëra besimtarë, të lidhur me Lëvizjen karizmatike. Pikërisht për rëndësinë e këtij realiteti, që mbushi 50-vjet, intervistuam kardinalin Odilo Scherer, kryeipeshkëv i San Paolos, këto ditë në Romë:

Përgjigje: - Lëvizja karizmatike është e pranishme në Kishë që prej 50 vjetësh. Mendoj se gjatë këtyre 50 vjetëve, ka fituar shumë pjekuri: kjo lëvizje ka me të vërtetë edhe një shpirt të ri; një gatishmëri të re për t’i pranuar shumë të krishterë, shumë katolikë, që ishin larguar nga Kisha e që pastaj, përmes lëvizjes, gjetën përsëri fenë, u rikthyen në Kishën katolike dhe e jetojnë plot gëzim këtë kthim. E do të shtoja edhe se lëvizja  ka sjellë shumë gjëra të bukura e të mira. Por Kisha, gjatë këtyre 50 vjetëve, ka mësuar edhe t’i japë orientime të sigurta Përtëritjes. Pa e shuar flakën e Shpirtit Shenjt, e cila është e mirë, Kisha është përpjekur t’i orientojë, që kjo të ndodhë në frymën e katolicitetit e në frymën e unitetit të Kishës, pikërisht në Kishën tonë katolike.








All the contents on this site are copyrighted ©.