Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Kisha kremton Rrëshajët: Shpirti Shenjt është prani e Krishtit ndër zemra.

Ardhja Shpirtit Shenjt mbi Marinë e Apostujt

03/06/2017 00:00

Kisha universale përgatitet për të dielën, kur do të kremtojë solemnitetin e Rrëshajëve, në kujtim të ndikimit të Shpirtit Shenjt mbi Apostujt, mbledhur së bashku me Marinë në Çenakull, me të cilin përfundon Koha e Pashkëve. Po të ndalemi te shpjegimi i domethënies së këtij solemniteti,

Së pari si duhet të përgatitemi për Rrëshajët? Çka mund të presim, sot, si dishepuj të Krishtit, nga zbritja e Shpirtit Shenjt ndërmjet nesh?

Për t’u përgatitur për këtë festë të madhe e teje të rëndësishme për ne të krishterët, kemi një mjet të përbashkët, që është liturgjia hyjnore, me leximet biblike e me ritet e saj, të cilat arrijnë kulmin në Lutjet mbrëmësore të Rrëshajëve e në festën e së dielës. Krahas përgatitjes si bashkësi besimtarësh, pastaj është edhe përgatitje individuale, përgatitja personale që ka të bëjë me dëshirën për zbritjen e Shpirtit Shenjt në zemrën e secilit.

Kushti kryesor, që ka vënë Jezusi për ta pasur Shpirtin Shenjt, nuk ka të bëjë me pagesa, sepse Shpirti i Zotit nuk mund të blihet, Shpirti i Zotit nuk meritohet po pranohet. Ka të bëjë me etjen e njeriut për ta pasur e pranuar këtë dhuratë tejet të çmueshme shpirtërore: “Kush ka etje, të vijë tek unë e të pijë” – thotë Jezusi në Ungjill të Gjonit. Ungjilltari i komenton këto fjalë, duke shtuar: “Ai fliste për Shpirtin Shenjt”.

Atë çka presim, në ditët tona, nga festa e Rrëshajëve, është diçka shumë e thjeshtë: që të vijnë për ne Rrëshajët e reja, do të thotë që Rrëshajët të mos jenë thjeshtë kremtim i një feste, por përvojë i pranisë së Shpirtit Shenjt Zot. E ne kemi nevojë të madhe, të thellë për Shpirtin Shenjt. Në shekullin e kaluar, filozofi Haideger thoshte: “Vetëm një Zot mund të na shpëtojë!”. E ne do të thoshim se ky Zot mund të na shpëtojë, mund ta shpëtojë shoqërinë tonë të teknologjizuar, me zemër të akullt.

Po nuk mund të mos mendojmë se ekziston edhe rrezik që edhe ne, të krishterët, të mungojmë në këtë takim të madh me Shpirtin e Zotit! E vërtetë, ky rrezik ekziston, edhe për shkak të një keqkuptimi. Sepse ndoshta jemi mësuar, posaçërisht në teologjinë para Koncilit të II të Vatikanit, ta konsiderojmë Shpirtin Shenjt si një lloj shtese, si një ‘optional’ që i shtohet organizmit të krishterë, mjeteve të hirit, por me një qëllim të dorës së dytë, që t’i japë Kishës forcë për ta çuar Lajmin e Mirë të Ungjillit deri në skajet më të largëta të tokës. Ky është vizion i kufizuar e i paplotë. 

Shpirti Shenjt është shëlbimi, është zanafilla e Besëlidhjes së Re. Sigurisht që Jezusi, mbi Kryq, me vdekjen e me ngjalljen e tij, përmbushi gjithçka, realizoi Besëlidhjen e Re e të amshuar. Por është Shpirti Shenjt ai, që e bën këtë shpërblim të Krishtit aktual, të disponueshëm për çdo njeri e në çdo çast të historisë. Prandaj, për ta shmangur këtë rrezik, them se barinjtë, teologët, prijësit shpirtëror të bashkësisë, duhet të paraqesin figurën e vërtetë të Shpirtit Shenjt, që nuk është abstraktim, nuk është ide, por është prani, është prania e Krishtit të ngjallur në zemrën e të krishterëve.

Dihet se Shpirti Shenjt është Vetja e tretë e  të Shenjtnueshmes Trini Hyjnore, prandaj, duhet ta kemi gjithnjë pranë në jetën tonë të përditshme. Madje Shpirti Shenjt Zot, sipas Shkrimeve, është Ai që e bën Trininë Hyjnore të pranishme në zemër të besimtarit, është Ai që, duke banuar ndër ne, na bën tempullin e vet, tempullin e Zotit. Kjo duhet të ndodhë përherë e festa e Rrëshajëve duhet të shërbejë si një lloj nxitjeje: e tërë jeta e Kishës, liturgjia e saj, ka për qëllim të na çojë ditë për ditë tek ky burim shpirtëror feje, që është Shpirti Shenjt.  

03/06/2017 00:00