2017-06-02 06:00:00

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit kishtar 4 – 11 qershor


E diel 4 qershor, Kisha katolike kremton solemnitetin e Rrëshajëve. Këtë të diele, pra, bie festa e ditëlindjes së Kishës, sepse kremtimi i Rrëshajëve, festimi i Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull, së bashku me Marinë, shënon plotësimin e premtimeve të Krishtit, do të thotë dërgimin e Shpirtit Shenjt, për t’i ngushëlluar e ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. Jezusi u tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Në zemër të Krishtit është burimi i asaj dashurie që Shpirti Shenjt e derdhi në zemrat tona duke na bërë të aftë ta duam Atin Qiellor, sikur e deshi Krishti, e duke na nxitur ti duam edhe vëllezërit e çdo njeri, siç na ka dashur Ai ne. Me ndihmën e Shpirtit Shenjt Zot, ecim plot shpresë në kërkimin e së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin Qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin.

Gjithnjë më 4 qershor, kalendari përkujton Shën Françeskun Karaçiolo, meshtar, themelues i Klerikëve të Vegjël Rregulltarë e Shën Kuirinin, martir. Liturgjia e ditës na kujton se njeriu i drejtë i jep lumni Hyjit me bindjen se feja nuk është prona jonë. Na u dorëzua që të kujdesemi për të, ashtu si vreshti vreshtarëve. Kemi përgjegjësi për lulëzimin e vreshtit, por nuk jemi i zoti.

Të hënën më 5 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Bonifacin, ipeshkëv e martir, apostull i Gjermanisë.  Liturgjia e ditës na kujton se secili nga ne është i thirrur të japë kontributin e tij për ndërtimin e një realiteti më të mirë, duke i ndihmuar për këtë edhe autoritetet civile.

Të marten më 6 qershor, kalendari kishtar përkujton Shën Norbertin, ipeshkëv i Magdenburgut, themelues i Kanonikëve Rregulltarë Premostratens; e Shenjtorët Artemi e Paolina, martirë dhe Shën Klaudion, abat e ipeshkëv, Liturgjia e ditës na kujton se në bisedën që bëjnë saduçejtë e farizenjtë me Jezusin, gjejmë gjithnjë të vërteta të mëdha e sot, të vërtetën se Zoti është përherë i pranishëm në jetën tonë jo si gjykatës, as si padron, por si Atë që kujdeset gjithnjë për të bijtë.

Të mërkurën më 7 qershor, kalendari kishtar pëkujton shën Anton Maria Gjanelin, ipeshkëv i Bobios, themelues i Bijave të Marisë.Liturgjia e ditës na nxit të reflektojmë mbi rëndësinë që ka jo sasia, por cilësia e dhuratave që u bëjmë të tjerëve me dashuri. E kjo e fundit varet nga zemra.

Të enjten më 8 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Medardin, ipeshkëv i Nojonit.Liturgjia e ditës na kujton se feja dhe tradita janë dy çelësat, pa të cilët nuk mund ta hapim e ta lexojmë mesazhin ungjillor. Jezusi është njeri i ri, por që ecën në gjurmët e traditës së hebrenjve, bijve të besëlidhjes së parë.

Të premten më 9 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Efremin, diakon e doktor i Kishës, shën Primo-n (Prelën) dhe shën Feliçianin, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se në se dhurojmë me gjithë zemër atë që i duhet tjetrit, të afërmit tonë, atëherë jeta jonë fiton vërtetë kuptim të ri.

Të shtunën më 10 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Landerikun e shën Cenzurin. Liturgjia e ditës na drejton ftesën e Jezusit që thotë: Ejani tek unë, ju që jeni të lodhur e të shtypur, unë do t’ju ushqej, thotë Zoti. Mësoni prej meje që jam i butë e me zemër të përvujtë.

Të dielën e ardhshme më 11 maj qershor, Kisha katolike kremton Festën e Trinisë Shenjte. Festa e Trinisë Shenjte na thërret jemi bashkësi dashurie e jete sepse Zoti nuk është vetmi e pafund, por bashkim drite e dashurie: këtë na kujton misteri i Njënisë dhe e Trinisë së Tënzot. Hyji është jetë e dhuruar dhe e marrë në një dialog të amshuar ndërmjet Atit e Birit, në Shpirtin Shenjt – i Dashuruar, i Dashur e Dashuri, siç shprehet Shën Agostini. Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.

Gjithnjë këtë të diele më 11 qershor, kalendari kishtar përkujton shën Barnabën, apostull. 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.