2017-06-02 06:00:00

Rrëshajët plotësojnë misterin e Pashkëve të Zotit


Në solemnitetin e Rrëshajëve, këtë të diele, Kisha Katolike kujton ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi Shën Marinë e mbi apostujt. Sot plotësohet misteri i Pashkëve të Zotit. Në këtë ditë, apostujt u shndërruan nga njerëz të thjeshtë në dijetarë, pasi Shpirti Shenjt i dha secilit karizma, apo dhurata të veçanta, që i ndihmuan më vonë në misionin e përhapjes së Fjalës së Zotit.

Kudo në botë jehon himni “Eja o Shpirt i Shenjtë” me të cilin Kisha lëvdon Atin Qiellor, sepse Krishti e mbajti premtimin dhe u dërgoi dishepujve të vet gurrën e pashterrshme hyjnore, uji i së cilës i shoqëron për amshim. Nga Rrëshajët deri në fund të kohërave, populli i Zotit ka si mision të jetë shenjë dhe mjet për përhapjen e Dashurisë hyjnore deri në skajet më të largëta të botës e deri në skutat më të thella të zemrës njerëzore. Dhurata e sakramenteve e bën të gjallë e veprues Krishtin, përmes besimtarëve: me fuqinë e Shpirtit Shenjt, Ai bëhet i afërt me të vuajturit e bekon gëzimin e dashurisë njerëzore.

Jezusi e mban premtimin e vet për t’u çuar apostujve – e përmes tyre, edhe të gjithë besimtarëve – Paraklitin - Mbrojtësin, në të pesëdhjetën ditë pas Pashkëve. Ky është edhe shpjegimi i emrit të Rrëshajëve, që në greqisht thuhet “Pentekosté”, pra dita e pesëdhjetë. Shpirti Shenjt i dikuar mbi apostuj, bën të rrjedhin në Kishë karizmat e ndryshme, dhuratat e shumta, që kanë të gjitha të njëjtin qëllim: krijimin e bashkësisë fetare.

Kjo ngjarje përshkruhet më së miri në kapitullin e dytë të Veprave të Apostujve, ku shën Luka ungjilltar na bën ta përjetojmë skenën, me ushtimën e erës së fuqishme e me gjuhët e zjarrit. Këto Rrëshajë kanë datë të njëjtë me rrëshajët e kremtuara nga hebrenjtë, 50 ditë pas Pashkëve. Por, siç lexohet në Ungjillin sipas Gjonit, edhe në ditën e Ringjalljes, Krishti u duket dishepujve të vet e duke hukatur mbi ta, u thotë: “Merrni Shpirtin Shenjt” (20,19-23).

Shumë studiues mendojnë se kjo ngjarje historike është e vetme, por e vendosur në dy korniza të ndryshme nga ungjilltarët, për arsye teologjike. Vërtet, dhurata e Shpirtit Shenjt mund të paraqitet sipas perspektivave të ndryshme, por që përkojnë me njëra-tjetrën. Të tjerë pohojnë se, meqenëse Shpirti Shenjt dikohet në disa momente të historisë, kështu ka ndodhur edhe në zanafillën e krishterimit.

Në rastin e përshkruar nga Shën Gjoni, privilegjohet bashkësia apostolike; në atë të shën Lukës, karizma, edhe pse fillon nga të Dymbëdhjetët, përqafon krejt turmën dhe bashkësinë e besimtarëve të rinj. Për të dy ungjilltarët, dikimet e shumta të Shpirtit Shenjt kanë gjithnjë si qëllim ta vazhdojnë veprën e Krishtit në Kishë e përmes saj. E në jetë të jetëve, kjo është vepër shëlbimi, çlirimi nga e keqja dhe misioni universal.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.