2017-06-02 13:33:00

Papa Françesku në Sallën Pali VI, mes fëmijëve me përvojë edukative katolike


Papa Françesku hyri mes duartrokitjeve të stuhishme në Sallën Pali VI. ku e prisnin 6 mijë fëmijë të shkollave nëntëvjeçare, që marrin pjesë në përvojën edukative kristiane “Gral” ose “Kalorësit”. Duke përshkruar korridorin kryesor në mes të Sallës, Papa u ndalua disa herë për t’i përshëndetur, për t’i përqafuar e për t’i bekuar të rinjtë, që e brohorisnin dhe e duartrokisnin me gjithë zemër. U foli lirisht, pa tekst zyrtar, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Bota ndryshon kur ia hapim zemrën, kur i dëgjojmë të tjerët e kur ndajmë bashkë të mira e të vështira - u kujtoi - e në vijim, porosia:

“Nëse ti ke një shok a një shoqe shkolle, që nuk të pëlqen, që të duket antipatik a antipatike, shko tek ai a tek ajo e thuaji; ‘Kam dy karamele, njërën për ty e tjetrën për vete!”. Kështu nisim ta ndryshojmë botën. Ndonëse shumëkush dëshiron t’i mbajë për vete të dyja karamelet, t’i ketë në xhep, sepse, mendon, njërën do ta ha tani, tjetrën, pak më vonë”.

Por sidomos - kujtoi Françesku - nuk duhet t’i përgjigjemi kurrë së keqes me të keq, por të lutemi edhe për armiqtë tanë, ashtu si Ati ynë, që është në qiell e bën të shndrisë diellin për të mirë e për të këqij. Mos mendoni kurrë keq për tjetrin, kurrë mos ia dëshironi të keqen kujt – kjo, porosia e Papës për të rinjtë, që kishin mbushur plot Sallën, në Vatikan:

“Nuk ka shkop magjik - përfundoi Françesku - me të cilin mund t’ia ndryshojmë faqen botës. Bota ndryshohet duke ndryshuar gjërat e vogla, të përditshme. Nëse kam përpara një mundësi, ç’duhet të bëj? T’i hap menjëherë duart e zemrën - nënvizoi Ati i Shenjtë. Kështu, edhe me duar të vogla, por të hapura për të gjithë, nis ndryshimi i botës së madhe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.