2017-06-02 11:55:00

Papa françesku: kulloteni popullin e Zotit jo si sundues, por si njerëz të përvuajtur


Jezusi ia beson delet e veta Pjetrit, më mëkatarit, dhe e fton ta kullosë popullin e Zotit me përvujtëri e dashuri, edhe mes gabimeve e mëkateve: kështu u shpreh Papa Françesku në Meshën e sotme të mëngjesit, kremtuar në Shën Martë.

Në homelinë e Meshës, Papa komentoi Ungjillin e ditës (Gjn 21.15-19), në të cilin Krishti i ngjallur dialogon me Pjetrin në breg të liqenit, aty ku e kishte thirrë apostullin. Dialog i qetë, i shtruar, ndërmjet miqsh - nënvizoi Françesku - në atmosferën e Ngjalljes së Zotit. Jezusi ia beson delet Pjetrit, duke i bërë tri pyetje, kryesisht pyetjen “a më do?”:

“Jezusi zgjedh më mëkatarin nga Apostujt, nësa ata kanë ikur e ky e ka mohuar, ka thënë ‘nuk e njoh’. E megjithatë, Jezusi e pyet: ‘Po ti, a më do më shumë se këta?’. Jezusi zgjedh mëkatarin”.

U zgjodh, pra, më mëkatari, për të kullotur popullin e Zotit. E kjo na bën të mendojmë – vërejti Papa Françesku.  - Jezusi i kërkon Pjetrit t’i kullosë delet me dashuri:

“Mos i kullot me krye përpjetë, si të ishe sundimtar i madh, jo, kulloti me përvujtëri, me dashuri, siç bëri Jezusi. Ky, misioni që i ngarkon Krishti Pjetrit. Po, ishte njeri me mëkate, me gabime. E aq shumë, sa pikërisht pas këtij dialogu, Pjetri shket përsëri, gabon prap, tundohet nga kurioziteti e i thotë Zotit: ‘Po ky, dishepulli tjetër, ku po shkon? Çka po bën ky?’. Por me dashuri, edhe pse me mëkate e gabime…me dashuri: ‘Sepse këto dele nuk janë tuat, janë të miat’ - thotë Zoti. Duaji! Nëse je miku im, duhet të jesh edhe miku i tyre!”.

Papa kujtoi çastin kur Pjetri e mohon Jezusin para shërbëtores së kryepriftit; është i sigurt kur e mohon Zotin, si ishte i sigurt kur e dëshmoi: “Ti je Krishti, Biri i Zotit të gjallë”. Françesku kujtoi edhe sytë e Jezusit që ndeshen me ata të Pjetrit pikërisht në çastin kur e kishte mohuar. E apostullin që, si e mohoi, qau me lot të hidhur:

“E pastaj, pas një jete të tërë në shërbim të Zotit, përfundoi si Zoti i vet: në kryq. Por nuk mburret, kur thotë: ‘Do të mbaroj si Zoti im!’. Jo. Vetëm kërkon: ‘Ju lutem, më kryqëzoni me kokë poshtë, që të paktën të shihet se nuk jam Zoti, por shërbëtori i tij’. Këtë mund të mësojmë nga ky dialog, dialog tejet i bukur, tejet i shtruar, tejet miqësor”.

Zoti na e dhashtë hirin të ecim kokëulur në jetë; kokëpërpjetë për dinjitetin që na jep Zoti, por kokulur për të tjerat, me vetëdijen se jemi mëkatarë, se i vetmi Zot është Jezusi e se ne jemi vetëm shërbëtorë.








All the contents on this site are copyrighted ©.