2017-06-01 11:15:00

Imzot Tomasi: marrëveshja e Parisit të ndihmojë kundër fatkeqësive natyrore.


Vëmendje urgjente për parandalimin e fatkeqësive natyrore në botë: këtë kërkoi  delegacioni i Selisë së Shenjtë nga Platforma globale për reduktimin e rreziqeve nga fatkeqësitë e natyrës, mbajtur këto ditë në Cancun të Meksikës. Kreu i Shtetit meksikan, Enrique Peña Nieto, që e drejtoi këtë takim, mori një mesazh nga Papa Françesku, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, përmes të cilit nxitet bashkëpunimi vëllazëror, pa i harruar problemet, që burojnë edhe nga kriza shoqërore, që vijon në botë, siç vihet në dukje edhe në “Laudato si’”. Në punime mori pjesë kryeipeshkvi Silvano Maria Tomaso, sekretar delegat i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Përgjigje: - Kjo urgjencë vjen nga fakti se shikojmë që pasojat e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, në dëm të krijimit, janë të pallogaritshme.  Për shembull, në vitin 2014 u shkaktuan dëme për 110 milionë dollarë e 102 milionë vetë patën pasoja shumë negative nga këto fatkeqësi, që shkaktuan vdekjen e më se 7 mijë vetëve. Ati i Shenjtë dërgoi një mesazh, përmes të cilit kërkon me ngulm të bëhen përpjekje për parandalimin, domethënë, të bëhet ç’është e mundur që në ambient, infrastrukturat  e nevojshme të realizohen në mënyrë që, përsa është e mundur, t’i parandalojnë përmbytjet, dëmet e shkaktuara nga tërmetet e kështu me radhë. Papa flet edhe për edukimin, domethënë për krijimin e një mendësie solidariteti, e kujton se nuk duhet harruar kurrë edhe vëmendja për viktimat.

Pyetje: - Është folur edhe për kërcënime kundër Marrëveshjes së Parisit mbi klimën, pa kujtuar këtu tensionet, që u krijuan në G7 ndërmjet SHBA-ve të Trump dhe Evropës…

Përgjigje: - Nuk pati kundërshtime, por mbështetje të fortë të Marrëveshjes së Parisit, sepse në këtë udhë vërehet mundësia për ta forcuar e për t’i dhënë energji të re luftës kundër këtyre fatkeqësive që ndodhin e që duhet t’u dalësh para, në mënyrë që njerëzit të mos vuajnë shumë nga pasojat e tyre negative.








All the contents on this site are copyrighted ©.