Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: Shpirti Shenjt

Shpirti Shenjt - RV

01/06/2017 09:55

Të dashur dëgjues, jemi vetëm pak ditë para festës së madhe të Rrëshajve, kujtim i zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi apostujt. Por ç’është “Shpirti Shenjt”? Këtë do të shpjegojmë sot.

Një teolog pati thënë se Shpirti Shenjt, në ndryshim nga ç’ndodh në Lindjen e krishterë, është një lloj hirusheje në teologjinë, në liturgjinë dhe në përshpirtërinë perëndimore, i ngjashëm me vajzën e përrallës, që njerka e lë në mesin e hirit. Në këtë thënie ka një të vërtetë, që mund të kapërcehet nëse shihen Shkrimet e Shenjta, duke filluar që nga Besëlidhja e Vjetër, ku kemi praninë e “Shpirtit të Zotit”, që akoma nuk është vetja e tretë e Trinisë Shenjte të krishterë, por është një shfaqje e frytshme e veprimtarisë krijuese hyjnore, që dhuron jetën: “Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen dhe e rinon fytyrën e dheut”, thuhet në Psalmin 104 (30).

Shpirti Hyjnor ka edhe detyrën e shugurimit të Mesisë: “Në të”, pohon profeti Isaia në një himn të famshëm “do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit” (11,2). Shpirti bëhet kështu burim i vetë profecisë, siç thuhet në një pasazh tjetër të Isaisë, që Krishti do ta zbatojë për veten e vet: “Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajme të gëzueshme” (61,1; Lk 4,18). Në plotësimin e kohërave, Shpirti i Zotit do të ndikohet mbi të gjithë popullin e Hyjit, siç kujton Shën Pjetri në ditën e Rrëshajve të krishtera, në vazhdën e shkrimeve të profetit Joel: “Do ta ndikoj Shpirtin tim mbi çdo njeri…madje edhe mbi skllevër të mi – buura e gra – në ato ditë do ta ndikoj Shpirtin tim” (Jl 3,1-2; Vap 2,17-18).

Në hebraisht, një fjalë e vetme, “rûah”, tregon si Shpirtin hyjnor, ashtu edhe shpirtin e njerëzve e të kafshëve, si edhe erën. Kjo polisemi pasqyrohet edhe në termin grek “pnéuma”. Sugjestive, janë fjalët e Krishtit për Nikodemin, në të cilat Shpirti ngrihet në qiell si burim e rilindjes sonë përmes pagëzimit: “Kush nuk lind me anë të ujit e të Shpirtit nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit. Çka lind prej mishit, mish është, e çka lind prej Shpirtit, shpirt është…Era fryn në drejtimin që do; ia dëgjon ushtimën e nuk di nga vjen e kah shkon: Kështu ndodh edhe me secilin që lind prej Shpirtit” (Gjn 3,5-8). Shpirti Shenjt pra, është thelbi i asaj jete hyjnore, që ndikohet mbi të pagëzuarin, duke e bërë bir të Zotit, gati ta thërrasë me emrin “Abbá” (atë), në një intimitet të ngjashëm me atë të Birit të tij, Jezu Krisht (Rm 8,15).

Kështu, në Beslidhjen e Re përvijohet prania gjithnjë e më personale e Shpirtit Shenjt, deri në atë pikë sa të duken formula “trinitare”, që zënë vend në tekstet paoline e në mandatin e fundit, që i Ringjalluri i dorëzon Kishës në përfundim të Ungjillit sipas Mateut: “Shkoni, e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt” (28,19). Shën Gjoni Ungjilltar, duke na propozuar pesë premtimet e Shpirtit Shenjt, thënë nga Jezusi gjatë Darkës së Mbrame, përvijon misionin e tij të dyfishtë. Nga njëra anë, Shpirti Shenjt duhet të “kujtojë”, pra ta mbajë gjithnjë gjallë e vepruese fjalën e Krishtit brenda Kishës, duke e udhëhequr drejt së vërtetës së plotë.

Nga ana tjetër, Shpirti është përkrah besimtarit që vuan, si Krishti, në mesin e një bote që e refuzon dhe e persekuton. Prania e Tij “ngushëllon” dhe mbështet, sepse Ai “do ta vërtetojë se bota është gabim, në lidhje me mëkat, me drejtësi dhe me dënim” (Gjn 16,8). E ky është çasti i madhërishëm i dënimit të së keqes në botë.

01/06/2017 09:55