Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në audiencën e përgjithshme: i krishteri mbjell shpresë, jo uthull

Papa në audiencën e përgjithshme - ANSA

31/05/2017 12:55

Të krishterët ta shkapërderdhin shpresën, posaçërisht me më nevojtarët: këtë theksoi Papa Françesku në katekzimin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. Në reflektimin e tij Papa nënvizoi lidhjen e Shpirtit Shenjt me shpresën e krishterë.

Në prag të solemnitetit të Rrëshajëve nuk mund të mos flasim për lidhjen ndërmjet shpresës së krishterë dhe Shpirtit Shenjt. Shpirti Shenjt është era, që na shtyn përpara, që na mban për udhë, na bën ta ndjejmë veten shtegtarë e të huaj e nuk lejon të plogështohemi, të bëhemi popull i amullt. 

Në Letrën drejtuar hebrenjve, shpresa krahasohet me spirancën (krh 6,18 -19), e kësaj figure mund t’i shtojmë edhe atë të velit. Nëse është spiranca ajo, që i jep siguri varkës dhe e mban të “ankoruar” ndërmjet valëve të detit, veli e bën të lundrojë e të shkojë përpara valë mbi valë. Shpresa është vërtet si vel: e mbledh erën e Shpirtit Shenjt dhe e shndërron në forcë lëvizëse, që e shtyn varkën sipas rastit, drejt detit të hapur ose drejt bregut.

Shën Pali Apostull e përfundon Letrën drejtuar Romakëve me këtë urim:

“Dëgjoni mirë, vërjani mirë veshin këtij urimi mrekullisht të bukur: ‘Zoti, në të cilin e kemi shpresën, ju mbushtë me gëzim e paqe në besimin tuaj që, në sajë të fuqisë së Shpirtit Shenjt, të mos ju mungojë kurrë shpresa (Rom 12,12)’. Është gëzimi, që buron nga shpresa. Sa ka shpresë, ka edhe jetë, thotë një fjalë e urtë e popullit: e është e vërtetë edhe e kundërta: sa ka jetë, ka edhe shpresë. Njerëzit kanë nevojë për shpresë, që të jetojnë. E kanë nevojë për Shpirtin Shenjt, që të shpresojnë”.

Sipas Shën Palit - e kemi dëgjuar - Shpirti Shenjt ka aftësinë të na bëjë të mbushemi përplot me shpresë. Kur mbushesh plot me shpresë, nuk e humbet kurrë guximin, shpreson, në kundërshtim me çdo shpresë (Rom 4, 18). E kjo do të thotë të shpresosh, edhe kur nuk ka asnjë arsye njerëzore për të shpresuar, siç i ndodhi Abrahamit, kur Zoti i kërkoi të flijonte birin e vetëm, Isakun. E si i ndodhi, edhe më trishtueshëm, Virgjërës Mari, tek këmbët e Kryqit të Jezusit.

Shpirti Shenjt e bën të mundur këtë shpresë të pamposhtur, duke na dhënë dëshminë shpirtërore se jemi bij të Hyjit e trashëgimtarë të tij (krh Rom 8,16). E si  mundet Ai, që na dha Birin e tij të vetëm, të mos na japë çdo gjë tjetër, së bashku me Të? (krh Rom 8,32).  Shpresa - vëllezër e motra - nuk të zhgënjen, sepse dashuria e Zotit u dikua në zemrat tona përmes Shpirtit Shenjt, që na u dhurua (Rom 5,5). Prandaj nuk të zhgënjen, sepse është Shpirti Shenjt brenda nesh, që na shtyn të ecim përpara, gjithnjë përpara.  

E ka edhe më:

“Shpirti Shenjt nuk na bën vetëm të aftë të shpresojmë, por edhe të jemi mbjellës të shpresës, të jemi edhe ne, si ai e për hir të Tij - “paraklitë”, domethënë, ngushëllues e mbrojtës të vëllezërve. Mbjellës të shpresës. I krishteri  mund të mbjellë vrer, mund të mbjellë dyshime, e kjo nuk është e krishterë, e ti, nëse e bën këtë, nuk je i krishterë i mirë”.

Mbill shpresë; mbill vajin e shpresës, mbill parfumin e shpresës, e jo uthullën e  hidhërimit e të humbjes së shpresës. I Lumi kardinali Newman, në një nga fjalimet e tij, u thoshte vëllezërve: ”Të mësuar nga vetë vuajtja jonë, nga dhimbja jonë, madje edhe nga mëkatet tona, do t’i kemi mendjen e zemrën të ushtruara për çdo vepër dashurie ndaj atyre, që kanë nevojë. Do të jemi, sipas masës së aftësive tona, ngushëllues, si Shpirti Shenjt e në kuptimin e plotë që ka kjo fjalë: avokatë, ndihmës, ngushëllues. Fjalët tona e këshillat tona, sjellja jonë, zëri, shikimi, do të jenë plot me fisniki e paqe (Parochial and plein Sermons, vol. V, Londra 1870, pp.300s.). E janë posaçërisht të varfërit, të përjashtuarit, të padashurit, ata që kanë nevojë të kenë një paraklit, një ngushëllues e mbrojtës, si Shpirti Shenjt, ngushëllues e mbrojtës, që të bëjë për ata, çka bën edhe për ne të gjithë, që jemi këtu, në Shesh. Edhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë për nevojtarët, për të përjashtuarit, ata që kanë më shumë nevojë, që vuajnë më shumë. Mbrojtës e ngushëllues!

“Shpirti Shenjt ushqen shpresën jo vetëm në zemrën e njerëzve, por edhe të mbarë krijimit. Thotë Shën Pali Apostull - e kjo duket pak si e çuditshme, por është e vërtetë - thotë, pra, kështu: ‘…edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit, për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit. Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan si nga dhimbjet e lindjes’” (Rom 8,20-22).

Energjia, e aftë për të vënë në lëvizje botën, nuk është forcë e paemër, e  verbër, por veprimi i Shpirtit Shenjt  që  endej përmbi ujëra (Zan 1,2), në zanafillë të krijimit (Benedikti XVI, Homelia, 31 maj 2009). Edhe kjo na shtyn ta respektojmë krijimin: nuk mund ta njollosësh një pikturë, pa fyer artistin, që e krijoi:

“Vëllezër e motra, uroj që festa e afërt e Rrëshajve të na gjejë në lutje, me Marinë, Nënën e Jezusit e tonën. E dhurata e Shpirtit Shenjt na bëftë të mbushemi përplot me shpresë. E po them edhe diçka më shumë: na bëftë ta shkapërderdhim shpresën me skamnorët, me të përjashtuarit e me të gjithë ata, që kanë më shumë nevojë. Faleminderit!”. 

31/05/2017 12:55