2017-05-31 14:13:00

Në Kopshtet e Vatikanit, përfundimi i muajit marian


Sipas traditës, sot, 31 maj, duke nisur nga ora 20.00, në Kopshtet e Vatikanit do të kremtohet dita e fundit e muajit të Zojës. Bashkësia do të thotë Rruzaren gjatë procesionit me qirinj ndezur, duke ecur drejt Shpellës së Zojës Lurdë. Me këtë rast, Bijat e Bamirësisë, që shërbejnë në Shën Martë do t’u dhurojnë “Medaljen e mrekullueshme” të gjithë atyre, që do të marrin pjesë në këtë kremtim.

Me Marinë, që në faqet e Ungjillit shtegton drejt Galilesë, këtë ditë të fundit të majit vihen për udhë edhe shtegtarët në mbarë botën e krishterë. Qindra shtegtime në shenjtëroret më të njohura mariane të botës, nga ekuatori i përvëluar, në viset e  ngrira të poleve.  

Në Vatikan shtegtimi marian nisi nga Kisha e lashtë e  shën Shtjefnit, me procesion, himne e Rruzaren Shenjte. Ishte kurorëzim i lutjeve dhe i kremtimeve mariane, të cilat vijuan gjatë gjithë majit, për të përfunduar pranë një Shpelle, rrethuar me lule e blerim, që të kujton Shenjtëroren e Lurdës. Besimtarët e mbledhur në Vatikan e jetuan këtë takim lutjeje tek këmbët e Zojës së Bekuar, në bashkim shpirtëror me të gjithë të devoçmit e Zojës nëpër botë: kardinaj, ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë, rregulltare e shumë besimtarë, popull i Zojës së Bekuar,  gurrë hiresh.

Hiri e galdimi ishin sot me besimtarët, në Vatikan, në Gjenacan, në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë rrëzë Kështjellës Rozafa e kudo nëpër botë, ku rrahin zemra vërtet të krishtera.








All the contents on this site are copyrighted ©.