2017-05-29 12:31:00

Papa Françesku: feja është e ftohtë e ideologjike nëse nuk dëgjohet Shpirti Shenjt


Duhet ta lëmë Shpirtin Shenjt të na këshillojë, të mësohemi ta dëgjojmë, para se të marrim vendime. Kjo, porosia që Papa Françesku u dha besimtarëve gjatë homelisë së Meshës së mëngjesit, kremtuar sot në Shtëpinë e Shën Martës. Nëse nuk e shqyrton atë që ndodh, feja është ideologjike.

Shpirti Shenjt, që e bën zemrën të rrahë fort, e frymëzon, i ngjall emocione të fuqishme, ishte sot në qendër të homelisë së Papës Françesku. Në këtë javë, nësa afrohen Rrëshajët, që do të kremtohen të dielën e ardhshme,  Kisha u kërkon besimtarëve të luten që Shpirti Shenjt të zbresë në zemrat, në famullitë, në bashkësitë. Papa u nis nga Leximi i parë të cilin - kujtoi - mund ta quajmë “Rrëshajët e Efezit”. Bashkësia e Efezit e kishte marrë fenë, por nuk e dinte as se ka kund Shpirt Shenjt. Ishin njerëz të mirë, me fe të gjallë, por nuk e njihnin këtë dhanti të Atit. Kur, pastaj, Pali u vuri duart mbi kokë, zbriti mbi ta Shpirti Shenjt e nisën të flasin gjuhë të ndryshme. Atëhere e kuptuan ç’do të thoshte të të zbresë në zemër Shpirti i Zotit.

Shpirti Shenjt e vë në lëvizje zemrën

Shpirti Shenjt e vë në lëvizje zemrën, siç e lexojmë në Ungjijtë, ku shumë njerëz - Nikodemi, gruaja me hemorragji, samaritanja, mëkatarja - nxiten t’i afrohen Jezusit pikërisht nga Shpirti Shenjt. Prej këndej e mori shtytjen edhe Françesku, për t’u drejtuar besimtarëve një breshëri pyetjesh lidhur me vendin që zë Shpirti Shenjt në shpirtin tonë:

“A jam i aftë ta dëgjoj? I aftë t’i kërkoj frymëzim, para se të marr një vendim, të them një fjalë a të bëj një gjë? Apo zemra ime është e qetë, pa emocione, zemër që nuk ndryshon? Epo, disa zemrave, po t’u bënim elektrokardiogramën shpirtërore, rezultati do të ishte një vijë e drejtë, pa emocione. Edhe në Ungjill gjejmë njerëz të tillë: të mendojmë për doktorët e ligjit. Besonin në Zotin, i dinin përmendësh të gjitha Urdhërimet, por zemrën e kishin të mbyllur, të ngrirë, nuk u pëlqenin shqetësimet.

Ta lëmë Shpirtin Shenjt të na këshillojë, jo, fesë ideologjike

Porosia kryesore e Papës ishte ta lëmë Shpirtin Shenjt të na shqetësojë, ta lëmë të na këshillojë, të na bëjë të shqyrtojmë e të mos mbyllemi në një fe ideologjike:

“Ta lëmë Shpirtin Shenjt të na shqetësojë: ‘Eh, e kam dëgjuar këtë… Por, o Atë, ky a s’është sentimentalizëm?’- ‘Jo, mund të jetë, por jo’. Nëse ti ecën udhës së drejtë, nuk është sentimetalizëm. ‘Desha ta bëj këtë, të shkoj e ta vizitoj atë të sëmurë, ose të ndërroj jetë, ose të bëj këtë e atë….’. Duhet të dëgjoj e të shqyrtoj: ta shoshit atë, që ndjej në zemrën time, sepse Shpirti Shenjt është mësues i shqyrtimit. Njeriu, të cilit nuk i rreh kështu zemra, që nuk di ç’po ndodh, ka fe të akullt, fe ideologjike. Feja  e tij është vetëm ideologji e asgjë tjetër”.

Ta pyesim veten për lidhjen që kemi me Shpirtin Shenjt

Kjo është drama e këtyre doktorëve të ligjit, që kapeshin me Jezusin, kujtoi Papa e, në vijim, i nxiti besimtarët ta pyesin veten edhe për lidhjen e tyre me Shpirtin Shenjt:

“A kërkoj të më prijë, kur më duhet të zgjedh rrugën e jetës e edhe atë të të gjitha ditëve? A i  kërkoj të më japë hirin ta dalloj të mirën nga e keqja? Sepse e mira dallohet menjëherë nga e keqja. Por ka edhe një lloj të keqeje të maskuar, që duket e mirë, por që fsheh në vetvete të keqen. A e kërkoj këtë hir? Këtë pyetje dëshiroj ta mbjell sot në zemrat tuaja”.

Duhet ta pyesim veten nëse kemi një zemër të shqetë, sepse të vënë në lëvizje nga Shpirti Shenjt. Papa ftoi edhe që, kur dëshirojmë të bëjmë ndonjë gjë, t’i kërkojmë Shpirtit Shenjt të na frymëzojë, të na thotë ‘po’ ose ‘jo’,  përndryshe i bëjmë llogaritë vetëm me mendjen tonë.

Në Zbulesë, Shën Gjoni Apostull ia nis duke i ftuar “shtatë Kishat” - shtatë dioqezat e asaj kohe - sqaroi Papa - të dëgjojnë ç’thotë Shpirti Shenjt:

“Ta kërkojmë edhe ne hirin për ta dëgjuar çka i thotë Shpirti Shenjt Kishës sonë, bashkësisë sonë, famullisë sonë, familjes sonë, e edhe secilit prej nesh. Të kërkojmë hirin për ta mësuar gjuhën e dëgjimit të Shpirtit Shenjt”.








All the contents on this site are copyrighted ©.