2017-05-29 14:17:00

Ipeshkvijtë e Shqipërisë tek Papa: Kisha në dialog, pranë të fundmëve


Ipeshkvijtë e Shqipërisë janë, që më datën 24 maj, në Romë, për vizitën e tyre “ad Limina”, e cila do të përfundojë më 1 qershor. I ngarkuar me veprimtari, programi i vizitës nisi më 26 maj, me një Meshë në Bazilikën e Shën Pjetrit, për të vijuar me vizitat në Kongregatat kryesore të Vatikanit. Prelatët vizituan, kështu, dikastere, kongregata e këshilla të ndryshme papnore, shoqëruar me Meshë në Bazilikat dhe Kishat më në zë të Qytetit të Amshuar.  

Dje, një nga kremtimet më emocionante: takimi me Zojën e Këshillit të Mirë, në Gjenacan. Ishte një Meshë jashtëzakonisht prekëse, me  pjesëmarrje vërtet domethënëse të shqiptarëve, ardhur nga të katër anët e Italisë, për të marrë pjesë në këtë takim të përvitshëm, por që sivjet pati një hir të veçantë.

Ipeshkvijtë kishin sjellë me vete në Gjenacan “Reliken e Martirëve Shqiptarë”. Prania e kësaj Relikjeje pranë Figures së Zojës, ngjalli jo vetëm emocione të thella fetare, por freskoi edhe kujtesën historike të besimtarëve, që merrnin pjesë në Meshë, duke i çuar me kujtime, sa në vitet e pushtimit turk, kur Zoja mërgoi, aq në vitet e martirizimit nën diktaturë e të një mërgimi tjetër të madh.

Dëshmitarët e këtij mërgimi ishin aty, te këmbët e Nënës së Këshillit të Mirë e pranë Relikes së Martirëve, që fliste vetë për qëndresë e besnikëri ndaj asaj Zoje, që nuk i harroi kurrë shqiptarët.

Ashtu si fliste vetë kremtimi i Meshës Shenjte, kryesuar nga kardinali i dytë shqiptar, Hirësia e Tij Ernest Troshani, rrethuar nga ipeshkvijtë e Kishës së ringjallur, të cilët po takohen për herë të dytë në vizitë “ad Limina“, me Papën e Romës, tek  Varret e Apostujve Pjetër e Pal.

Konferenca ipeshkëvnore katolike e Shqipërisë aktualisht përbëhet nga imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv i Shkodër-Pultit e president i kësaj këtij organizmi kishtar; imzot George Frendo, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit e sekretar i kësaj këtij organizmi kishtar; imzot Cristoforo Palmieri, ipeshkëv i Rrëshenit; imzot Ottavio Vilate, ipeshkëv i Lezhës; imzot Hil Kabashi, ipeshkëv-Administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut dhe dom Simon Kulli, administrator dioqezan i Sapës.  Por, të rikthehemi te vizita “ad Limina Apostolum”, që nesër do të arrijë kulmin në takimin me Papën Françesku e sot pasqyrohet nga vetë ipeshkvijtë. Po t’i dëgjojmë ipeshkvijtë e Kishës katolike në Shqipëri, që konfirmojnë misionin e Kishës në shërbimit të Ungjillit e të popullit, në mikrofonin e dom David Gjugjës

 








All the contents on this site are copyrighted ©.