2017-05-28 12:00:00

Veprimtaritë javore në Vatikan e në Kishën Katolike


Të mërkurën, më 24 maj, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, u prit në audiencë nga Papa Françesku e më pas, edhe nga autoritetet e tjera të Vatikanit. Gjatë bisedës së përzemërt, u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira dypalëshe ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe SHBA-ve, si edhe u vu në dukje impenjimi i përbashkët në favor të jetës, të lirisë fetare e të ndërgjegjes. U urua një bashkëpunim i frytshëm ndërmjet shtetit dhe Kishës Katolike në SHBA-të, e impenjuar në shërbim të popullsisë në fushën e shëndetësisë, të edukimit dhe të asistencës për emigrantët. Bisedimet mundësuan shkëmbimin e pikpamjeve për disa tema, që kanë të bëjnë me aktualitetin ndërkombëtar dhe me promovimin e paqes në botë përmes negociatave politike dhe dialogut ndërfetar, duke iu referuar veçanërisht gjendjes në Lindjen e Mesme dhe kujdesit për bashkësitë e krishtera.

 

Java e kaluar do të kujtohet edhe për njërin nga atentatet më të poshtra të terrorizmit islamik, i cili deshi të godasë të rinjtë e moshës 14-16 vjeç në Manchester Arena të Anglisë, gjatë koncertit të Ariana Grandes, pop star amerikane. Në një telegram me firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, Papa Françesku shprehet “thellësisht i trishtuar për këtë plagë e për humbjen tragjike të jetëve njerëzore, shkaktuar nga një sulm barbar në Manchester, dhe shpreh solidaritetin e tij të sinqertë me të gjithë ata, që janë prekur nga ky akt dhune pa kuptim”. Ati i Shenjtë lavdëron impenjimin e personelit të emergjencës dhe të sigurisë, si edhe premton lutje për të plagosurit, për 22 viktimat e familjet e tyre.

 

Shëndeti nuk është mall për konsum, por një e drejtë universale, që duhet ruajtur. Ky është thelbi i ndërhyrjes së kryeipeshkvit Ivan Jurkoviç, kreu i delegacionit të Selisë së Shenjtë në asamblenë e 70-të për shëndetësinë, që përfundoi dje në Gjenevë. “Përveç infrastrukturave të forta dhe të besueshme, sistemet shëndetësore duhet ta vendosin njeriun dhe nevojat e tij fizike, emotive e shpirtërore, në qendër të kujdesit mjekësor, duke respektuar shenjtërinë e jetës në të gjitha fazat dhe dinjitetin e çdo njeriu”, nënvizoi imzot Jurkoviç.

Kreu i delegacionit të Vatikanit u kërkoi qeverive të mos përqendrohen vetëm në veprimtaritë shëndetësore të administruara nga institucionet shtetërore, por të marrin parasysh të gjithë aktorët, që punojnë në fushën e shëndetësisë, përfshirë Kishën Katolike. Këto organizata marrin përsipër një përgjegjësi të madhe, prandaj nuk duhen harruar nga politikat e ligjet përkatëse.

 

Qendra e Studimeve Bonaventuriane kremtoi 800-vjetorin e lindjes së “Doctor Seraphicus”. Konferenca e mbajtur për këtë qëllim filloi më 26 e përfundoi sot, më 28 maj. Punimet u hapën në Viterbo me një Lectio Magistralis të Marc Ozilou nga Instituti Katolik i Parisit dhe përfunduan sot në Civita di Bagnoreggio. Shën Bonaventura ishte pikërisht nga Bagnoreggio, ku lindi në vitin 1217, nuk dihet saktësisht data. Vdiq në Lion, më 15 korrik 1274. Ishte kardinal, filozof e teolog. Dha mësim në Universitetin e Sorbonës, në Paris dhe ishte mik me shën Tomën e Akuinit. Mbiquhet “Doctor Seraphicus” për kontributin e tij filozofik dhe është njëri nga biografët më të rëndësishëm të Shën Françeskut të Asizit. Gjatë vitit 2017 do të ketë shumë nisma në përkujtim të 800-vjetorit të lindjes së Shën Bonaventurës. Ndër to, edhe një vepër “Street Art”, një mural i pikturuar nga të rinjtë e kishës së Shën Bonaventurës nga Bagnoreggio në lagjen Torrespaccata të Romës.

 

Patriku i Moskës, Kirill, i dërgoi Papës Françesku një ikonë të lashtë të shën’ Kollit për t’i shprehur mirënjohjen për reliket e shenjtit ipeshkëv të Mirës, që përkohësisht do të qëndrojnë në Rusi. Ikona iu dorëzua Atit të Shenjtë nga kryeipeshkvi i Bari-Bitontos, imzot Francesco Cacucci, që të hënën e kaluar u takua me Patrikun ortodoks të Moskës, pas kremtimit fetar në katedralen e Krishtit Shëlbues, ku mbërriti relikja nga Bari, të dielën. Aty do të mbetet deri më 12 korrik e pastaj do të çohet në sallën Aleksandër Nevskij në Shën Pjetërburg deri më 28 korrik.








All the contents on this site are copyrighted ©.