Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Solidaritet koptëve, nga Kishat e mbarë botës

Dhimbja e familjarëve të viktimave të atentatit kundër koptëve në Minya - AFP

28/05/2017 15:46

Pas mesazheve të ngushëllimit e të lutjes të Papës Françesku, të Kishës ortodokse kopte, kryesuar nga Papa Tawadros II dhe të Patriarkatit kopto-katolik të Egjiptit, vijojnë të shtohen shprehjet e dhimbjes, të solidaritetit  e të dënimit nga ana e Kishave të mbarë botës, për sulmin e ri terroristik kundër bashkësisë së krishterë egjiptiane, nga ana e fundamentalistëve islamikë.

Ipeshkvijtë e SHBA-ve dhe Patriku Kirill

Konferenca ipeshkvnore e SHBA-ve (Usccb), e dënon ashpër  derdhjen e gjithë këtij gjaku të pafajshëm e, duke kujtuar fjalët e Papës Françesku gjatë shtegtimit të tij të fundit në Egjipt, nënvizon se “megjithë dhembjen e padurueshme, uniteti i të krishterëve thellohet e forcohet e se ky unitet është udha e paqes". Për sulm të ulët kundër njerëzve të pafajshëm flet edhe  Patriku ortodoks rus Kirill i cili, në mesazhin e tij të ngushëllimit, shpreh besimin se egjiptianët nuk do të lejojnë që asnjë forcë ta shkatërrojë paqen dhe harmoninë në vend.

Pastori Olav Fykse-Tveit, sekretar i përgjithshëm i  WCC

“Të trondit fakti i këtij sulmi mbi njerëz, që ishin në shtegtim paqeje, e i përsëritjes së një akti dhune e persekutimi kundër këtij populli” - shkruan pastori Olav Fykse-Tveit, sekretar i përgjithshëm i Këshillit botëror të Kishave (WCC). “Përballë këtij brutaliteti - shton - familja njerëzore, mbarë popujt fetarë e vullnetmirë, duhet të bashkohen e të angazhohen ta respektojnë, ta ndihmojnë e ta mbrojnë njëri-tjetrin, duke mos lejuar të përsëritet një dhunë e tillë".  Këshilli botëror i Kishave i bën thirrje presidentit Abdel Fattah al-Sisi, liderëve fetarë dhe qeverive të zonës, të veprojnë me shpejtësi e guxim për mbrojtjen e të drejtave themelore të të gjitha feve, për garantimin e sigurisë, përballë dhunës dhe të drejtësisë për të gjithë njerëzit.

Primati anglikan Justin Welby

Me zemër të plasur nga dhimbja, edhe primati i Kishës anglikane, Justin Welby, bashkohet në lutje për popullin dhe kombin e Egjiptit, për paqen e për mospraninimin e njëzëshëm të aksioneve të tilla të tmerrshme. “Në këtë çast dhimbjeje të thellë - shton - të  lutemi për të vdekurit, për ata, që u plagosën e ata, që humbën të dashurit. Të lutemi që të gjithë ta ndjejnë pranë Zotin në këtë çast të errët e të gjejnë forcën për t’u shtrënguar rreth Shëlbuesit, Jezu Krishtit". Mendimi i kryeipeshkvit të Canterbury shkon te Papa Tawdros II, që e kryeson Kishën ortodokse kopte “me urti e guxim, me fe të fortë e vendosmëri”.

Solidariteti i Bashkësisë hebraike, me bashkësinë kopte

Edhe hebrenjtë janë pranë bashkësisë ortodokse kopte të Egjiptit: qajnë për viktimat, së bashku me familjet e tyre. Sulmin kundër autobusit plot me shtegtarë koptë, drejtuar kah Manastiri i Shën Samuelit, e dënon kryetari i Kongresit hebraik Botëror, Ronald S. Lauder, në një komunikatë, rimarrë nga Agjencia Sir: “Të dhemb shpirti - shkruan - kur shikon se të krishterët e Lindjes së Mesme jetojnë mes rreziqesh e pasigurisë, pa vëmendjen e shqetësimin ndërkombëtar, që meritojnë. I ftoj liderët myslimanë të flasin në ndihmë të tyre, të bëjnë çmos për t’i mbrojtur kundër këtij terrori e ta frenojnë dhunën sektare. Myslimanët e mbarë botës sot fillojnë muajin e shenjtë të Ramazanit, çast lutjeje e bamirësie. Shpresoj - përfundon Lauder - që ky Ramazan të jetë muaj i paqes për myslimanët e jo myslimanët".

Bashkësia e Shën Egjidit

“Në këtë çast të vështirë historik, koptët egjiptianë nuk duhen lënë vetëm, duhet ta ndjejnë fort solidaritetin e të gjitha kishave e të të gjithë besimtarëve të feve të ndryshme si dhe të përshkohet çdo rrugë e mundshme për të dalë sa më shpejt nga kjo spirale dhune”. Kështu shprehet, në një Komunikatë, Bashkësia e Shën Egjiidit, që shtrëngohet rreth Kishës kopte të Egjiptit dhe flet për dhunë të verbër, synimi i së cilës është të mbjellë terror e vdekje.

Që nga dhjetori, 75 koptë të vrarë nga terroristët islamikë

Që nga dhjetori i kaluar janë më se 75 anëtarët e bashkësië kopte (rreth 10% e popullsisë egjiptiane), që humbën jetën nën goditjet e terroristëve islamikë. Ndërmjet tyre, viktimat e masakrës të së Dielës së Larit, kryer nga Isis kundër Kishës kopte të Mar Girgis, në qytetin Tanta (me 27 të vdekur e 78 të plagosur), në katedralen e Shën Markut, në Alekasndri (me 16 të vdekur) e ata të sulmit kundër katedrales kopte të Shën Markut në Abassiya të Kajros, më 11 dhjetor.

28/05/2017 15:46